Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shokuar të gjithë botën. Edhe pse ishte i pritshëm një reagim i tillë, BE, NATO, SHBA dhe vendet tjera nuk arritën dot ta parandalojnë. Dje pati shumë reagime kundër Rusisë, pasi të gjithë u rreshtuan kundër kësaj nisme.
Edhe Shqipëria doli në krah të NATO dhe SHBA duke dënuar sulmin, ndërkohë që nisi marrja e masave nga rreziku i një përshkallëzimi të tensioneve. Presidenti Ilir Meta thirri në mbrëmje Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth një orë, ku të pranishëm ishin Zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, zv.ministrja e jashtme, Megi Fino, Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të punëve të jashtme, Gledis Nano, drejtori i SHISH-it, Helidon Brendo, Nasip Naco, kryetar i komisioni i sigurisë, si dhe guvernatori Gent Sejko. Kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe ministrja e Jashtme e bojkotuan.
Pra ajo që bie në sy është se pavarësisht se Meta i mbijetoi shkarkimit, kryeministri Rama nuk e njeh si president. Pas mbledhjes presidenti doli me një deklaratë për shtyp. “Këshilli diskutoi mbi të gjitha masat që do të ndërmerren për të adresuar këtë situatë, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët, si sa u përket angazhimeve tona ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, edhe një herë, dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran. Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën”, tha Meta.
Kim bisedon me Ramën, shmang Metën
Në lëvizje janë vënë dhe amerikanët. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka njoftuar se ka qenë në kontakte të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama dhe ministren Xhaçka. “Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim diskutoi sot me kryeministrin Edi Ramën dhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia.
SHBA dhe Shqipëria janë të bashkuar me të tjerët në mbarë botën për të dënuar në termat më të ashpër veprimet e Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të vazhdojnë të koordinohen ngushtë me NATO dhe Këshilli i Sigurimit në OKB për t’i kërkuar llogari Rusinë për agresionin e saj flagrant kundër Ukrainës dhe paqes dhe sigurisë globale”, njoftoi ambasada. Ajo që bie në sy është se amerikanët vijojnë ta shmangin presidentin, i cili në këtë rast ka rol të rëndësishëm sepse është Komandanti i Forcave të Armatosura.
Reagon NATO
Para se të niste agresioni rus ka pasur frikë se mund të kemi përshkallëzim të konflikti edhe në Ballkan. Por dje ka pasur reagime nga vetë NATO, ku e ka bërë të qartë se siguria në rajon është e garantuar. “Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Dhe kjo mbetet edhe tash. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjatë përgjatë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur nëse aleanca do të rrisë praninë në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim eventual të situatës.