Ka përfunduar misioni i zjarrfikësve shqiptarë dhe Forcave të Armatosura që i shkuan në ndihmë Greqisë për shuarjen e zjarreve, në një nga zonat më të prekura, si ajo e ‘Alexandroupolit’.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi efektivët dhe strukturat e mbrojtjes civile shqiptare përfunduan misionin për ndihmuar Greqinë në shuarjen e zjarreve. Rama thotë se u kthen në atdhe me ndjenjën e krenarisë për kontributin e tyre në ndihmë të popullit mik.
“RESPEKT! Efektivët shqiptarë përfundojnë me sukses misionin në Greqinë e goditur nga zjarret masive. Trupa të specializuara të emergjencave civile dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencave të bashkive të Korçës dhe Maliqit, u angazhuan në operacionet e ndihmës për shuarjen e zjarreve dhe kthehen në atdhe me detyrën të kryer, e me ndjenjën e krenarisë për kontributin e tyre në ndihmë të popullit mik grek në një moment të vështirë”, shkruan Rama.