Kryeministri Edi Rama foli sot nga Berati për qeverisjen dhe për atë se çfarë ka arritur deri më tani Rilindja. Rama theksoi se puna për një model të ri qeverisje është në vazhdim dhe është një proces në formim, ashtu si kantieret e ndërtimit sot.
Ndërkohë nuk mungoi dhe një kujtesë për qeverisjen me LSI në fillim të mandatit të parë. Duke e quajtur një gjysmë mandati anormal.
“Është një punë në vazhdim, është një proces në formim. Është një kantier ku ka shumë për të shtuar dhe punuar. Është njësoj si kantieret e ndërtimit sot.
Nëse shoh sot Thumanën nuk ka krahasim as me atë para tërmetit dhe as me atë një ditë pas tërmetit që ishte një gropë e zezë me dhimbjen e tragjedisë dhe me gjithë ato rrënoja. Nëse thua sot a është tani në këtë sekondë, ky një vend i jetueshëm, me frymëmarrje të lehtësuar?
Jo, sepse puna nuk ka mbaruar, duhen vënë çatitë, sistemet e brendshme, ndërkohë që bazat janë hedhur, infrastruktura është aty, ndriçimi është aty, muret janë ngritur.
Të mos harrojmë që ne nuk kemi pasur 2 mandate të plota normale, kemi pasur 1 mandat e gjysmë, sepse gjysma tjetër e këtij mandati ka qenë komplet anormale, e jashtëzakonshme”, deklaroi Rama.
Gjithashtu Rama kujtoi dixhitalizimin e shërbimeve, teksa tha se këtë punë duhet ta mbyllë Partia Socialiste.
“Mjafton të shikojmë që janë miliona ndërveprime mes qytetarëve dhe shtetit që janë bërë online por ka ende akoma për të bërë në mënyrë që shtetit të tërhiqet nga kontakti me qyt dhe qyt ta ketë shtetin në xhep. Këtë proces duhet ta mbyllim ne, jo ata që e lanë stafetën me 3 shërbime online, ndërsa ne jemi me 900 e ca shërbime online”, deklaroi Rama.