Kryeministri Edi Rama i ka dhënë edhe 7 ditë afat presidentit Ilir Meta për të dekretuar Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm. Duke folur në një intervistë për Sokol Ballën në “Vizion Plus”, ai tha se do ja dërgojë sërish dekretin ditën e sotme dhe kreu i shtetit duhet që deri të premten që vjen të vendosë pranimin. Nga ana tjetër ai deklaroi se çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të mos përsëritet ky precedent. Duke u ndalur te gara për në KLSH, ai tha se Vitore Tusha është figurë e nderuar, por emërimi i saj rrezikon zbatimin e reformës në drejtësi.
-Keni një koment për situatën në Bularat?
Ne nuk jemi vend ku luftohet me arkëmorte. Jemi një vend ku ndodhi diçka që në vendin fqinj nuk mund të imagjinohet. Ne morëm masat përkatëse në kufi. Janë marrë masa ndaj disa shtetasve që janë kapur në shkelje të ligjeve duke hyrë në mënyrë të paligjshme në kufirin e gjelbër. Por nga ana tjetër unë refuzoj dhe i bëj ftesë të gjithëve shprehjen na erdhën grekët. Nuk është ky populli grek, nuk është ky fshati i Bularatit dhe minoriteti. Ky është një segment folklorik dhe i mjerë i politikës greke dhe populli greke nuk ka qenë e nuk do jetë armiku ynë. Greqia është vendi ku shqiptarët kanë gjetur strehë. Por është si çdo vend që ka derrat e gomerët e vet. Nuk ka nevojë për komente të tepërta dhe është shfaqje e izoluar në një fshat që u mor peng nga një grup folklorik. Ata turpëruan flamurin e tyre, ikën dhe lanë një shfaqje folklorike pas, duke përdhosur dhe të vdekurin.
-Sa është mundësia që ky veprim të dëmtojë paktin e detit?
Edhe nga pala greke ka pasur zëra të respektueshëm dhe kanë mbajtur qëndrim të qartë. Një ngjarje e tillë nuk ka influencë. Nuk ka arsye të ndikojë në marrëdhëniet tona. Ndryshe nga sa është propaganduar nga disa, është proces që nuk ka përfunduar. Ne kemi hyrë për një marrëveshje më të mirë se e 2009 dhe jo që nuk kemi asnjë milimetër det për të falur, por mund të rikërkojmë atë që na është marrë padrejtësisht nga marrëveshja e 2009.
-A po ndikon Turqia që mos ketë pakt me Greqinë?
Së pari, marrëdhënia e Presidentit të Turqisë me tonin ka qenë normale dhe unë nuk jam xheloz. Dhe nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë herë në asnjë rast dhe për asnjë çast diskutim mes meje dhe Erdogan lidhur me Greqinë. Marrëveshja është e Shqipërisë me Greqinë dhe jo e Turqisë me Greqinë. Kush i lidh këto nuk e di se çfarë flet. Nuk ka lidhje fare.
-A e prisnit mosdekretimin e Lleshit? Ka pasur teknikalitet që të mos e ketë bindur presidentin?
Nuk e prisja fare. Nuk ka asgjë të tillë dhe presidenti nuk më ka thënë asgjë. Ai ka një shkarkim nga presidenti, që u cilësua i paligjshëm nga gjykata, por rikthimin në detyrë të gjeneralit e bën presidenti. Presidenti i gjashtë nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës. Për aq kohë sa vendimi nuk është zbatuar ai ka përfituar dëmshpërblimin, të cilin e ka çuar për bamirësi.
-Cila është arsyeja misterioze që presidenti ju tha?
Kushtetuta jonë ka ndryshim nga Kushtetuta italiane. Ajo italiane s’ka afat ndërsa e jona ka 7 ditë afat dhe ka afat taksativ. Kushtetuta ka 12 kompetenca për presidentin. Në këto 12 kompetenca nuk hyn kompetenca që të ketë gjykim mbi kryeministrin e ministrat. Kushtetuta ka një nen ku thotë se Presidenti nuk ka të drejtë të ushtrojë kompetencë jashtë tyre. Presidenti nuk më ka dhënë arsye që do të konsideroheshin arsye që bien ndesh me kriteret për tu zgjedhur deputet.
-Ka në tryezën tuaj fashikull nga SHISH që nga koha e Visho Likës?
Presidenca ka bërë hetimin më të thellë në historinë e Republikës parlamentare. Kanë kërkuar për gjeneralin në adresa që kurrë nuk ka shkuar postieri i Presidencës dhe kanë gjetur gjithçka të bardhë. Unë kam thënë që presidenti nuk më dha asnjë arsye që të vërë në diskutim të drejtën kushtetuese për të qenë ministër. Meqë presidenti përmes shefit të kabinetit dërgoi një SMS se ju jeni bërë katund i madh SMS, dhe i thashë ndjesë nëse nuk është e vërtetë dhe nëse është e vërtetë, e mirëpresim të vijë ta thotë dhe uroj të mos jetë ajo që mu paraqit mua.
-Cila është ajo që ju tha?
Ajo që diskutuam ishte diskutim i hapur dhe unë nuk dua të bëj përcjellje të bisedës për gjëra që ai ka ndarë me mua. Nuk ka një arsye. Unë presidentit i kam çuar dekret jo kandidat. Presidenti nuk mund të refuzojë, ka detyrën të dekretojë. Vetëm në rastet kur shfaqet një burim i besueshëm dhe këtu kemi të bëjmë me një agjentë të një force malinje. Presidenti ka kthyer një letër që s’ka referenca. Sepse ai gjithmonë çon referenca bazuar në këtë nen apo ligj. Ai thotë nuk krijoj bindjen e plotë për kandidaturën. Ai nuk është kandidaturë.
-A ka pasur takim të kërkuar nga Meta që është refuzuar nga Lleshi?
Unë nuk hyj te ata që bëjnë publike bisedat e brendshme që nuk kanë interes në publik dhe nuk përbëjnë kërcënim. Nuk kam marr asnjë arsye tjetër vetëm që nuk ka krijuar bindjen. Për këtë arsye nesër do i dërgoj presidentit dekretin ku përsëri do i propozoj dekretimin e gjeneralit ministër të Brendshëm me një letër apo relacion shpjeguar të argumentuar bazuar në procedurën dhe në traditën e krijuar nga presidenti që në rastin e negociatave me Greqinë, për të arritur në atë marrëveshjen e plotfuqishme. Ka çuar shkresa shumë serioze dhe të detajuara që e ndihmuan procesin. Nesër do i çojmë një shkresë të detajuar dhe do i japim mundësinë të krijojë bindjen e plotë. Ky precedent nuk do të krijohet dhe s’ka pse të krijohet.
-Afati kushtetues ka kaluar. Mos shkelni Kushtetutën më këtë lëvizje ? A ka lidhje me refuzimin me KLSH?
Nuk ka lidhje. Ju paguheni që të dyshoni. Absolutisht në 90 minuta bisedë me presidentin, se kam parë dhe komete për pazar, etj. Absolutisht ai nuk ka hapur asnjë temë tjetër dhe faktikisht as nga ana ime nuk do lejoj që për një çështje të tillë të diskutohej çështje tjetër. Kryeministri nuk ka detyrë ta konsultojë presidentin për kandidaturat. Edhe presidenti nuk ka detyrë të konsultojë shumicën për KLSH dhe nuk e ka bërë. Presidenti nuk duhet të çuditet pse nuk konsultohet apo ndjehet i anashkaluar apo i trajtuar si noter. Është noter i Republikës parlamentare dhe patjetër ushtron kompetenca për ato kur ja përcakton Kushtetuta. Ashtu si ne si shumicë nuk kemi pse ndjehemi të sfiduar, edhe pse nuk e kemi taksativ për të votuar atë që na çon presidenti, por është ai që bën propozimin. Unë do i çoj dekretin dhe do presim 7 ditë të tjera.
-Pse do bindet?
Nuk ka një çështje themelore. Unë nuk kam arsye të dyshoj se presidenti nuk ka një axhendë të fshehtë. Nuk kam arsye të besoj se presidenti është në një lojë politike. Ju përmendët Maqedoninë, ku ishte një kombinacion mes presidenti dhe opozitës. Nuk kam arsye që presidenti ka një prapavijë në këtë dhe janë për të fshehur një apel të një opozite të dëshpëruar që bojkoton parlamentin dhe që kërkon qiqra në një hell që po piqet vetë. Nëse këto nuk ekzistojnë dhe uroj që jo, presidenti nuk ka arsye të mos dekretojë një person që ka një pastërti të tillë që dhe vetë opozita që e ka çiften e gojës plot me saçme nuk hodhi dot një saçme të vetë nga zorrët e veta në fytyrën e tij.
-Nëse Presidenti brenda kësaj jave sërish nuk e dekreton. Atëherë dalim te teza që ai bën lojë politike?
Politika është shah dhe jo dam. Mund të them që fjalën e fundit mos e thuaj të parën dhe jepi tjetrit mundësi të jetë pjesë e procesit. Unë nuk përgjigjem me nëse. Ne e kemi votuar Ilir Metën dhe e votuam në kontekstin kur kishim votat. Unë e kam votuar i bindur se po votojmë kandidaturën e përshtatshme. Deri të shtunën presidenti ka qenë realisht president i përmbajtur në fjalë, i baraspeshuar në qëndrim dhe ishte për tu dekoruar. Ai ka të drejtë të ketë vizion të ndryshëm për teatrin. Është e drejtë, etj. Nuk shoh arsye ti vërë vetës një njollë dhe do jetë më e madhja te një president duke filluar nga Ramiz Alia.
-Njollë apo diçka tjetër?
Është një flagrancë antikushtetuese mosdekretimi.
-Flagrancë që mund të sjellë padi?
Nuk e çojmë presidentin në prokurori. Ne do e çojmë në Kushtetuese. E kemi gati. Për disa muaj do kemi gjykatë dhe besoj në pranverë. Ne kemi gati dhe do e depozitojmë ditën e hënë. Sepse ajo duhet të sqarohet një herë e mirë. Për të sqaruar presidentët e së ardhmes.
-Pse iku Xhafaj? E përcollët ftohtë.
Ishte vendim i tij. Njëri thotë se je xheloz se presidenti turk ka sevda me presidentin shqiptar. Nuk janë marrëdhënie, janë marrëdhënie pune. Janë miqësore dhe po ju them që Fatmir Xhafaj e kreu detyrën e tij dhe sot Sandër Lleshi do japë një hov tjetër në një punë ku traseja është e shtruar.
-Do e votoni Vitore Tushën për kryetare të KLSH?
Vitore Tusha si individ është një kandidaturë tepër e formuar. Është gjyqtare që ka kaluar vetingun. Por emërimi i zonjës mund të vejë në pikëpyetje reformën në drejtësi. Zonja është anëtare e Gjykatës Kushtetueses dhe e KED. Më e rëndësishme është se rrezikohet bllokimi i KED. Duke qenë se zonja ka dalë e pastër nga vetingu është një diskutim për tu bërë. Si kandidaturë nuk thua dot se është e dyshimtë. Për të mos lënë asnjë hije dyshimi, Vitore Tusha nuk ka kandiduar për KLSH për tu larguar nga Gjykata Kushtetuese. Ajo e ka ezauruar mandatin e saj si gjykatëse dhe është atje derisa të zëvendësohet. Ekspertët do të na japin në ditët në vijim një panoramë më të qartë, ne do të ulemi me kryetarin e Kuvendit dhe me kryetarin e grupit për të diskutuar dhe për të marrë një vendim. Duke qenë se është zonjë, unë vetë e jap votën pro, por nuk negociojmë me reformën në drejtësi. Por në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë ka pasur raste që unë kam qenë në minorancë, por kam respektuar vendimin e mazhorancës.
-Po të mos e miratoni duket se po thelloni krisjen me presidentin ose po ta dekretoni do të duket sikur po rrezikohet reforma në drejtësi.
Nuk besoj të kemi krisje të tjera, është një situatë ku gjithçka mund të kapërcehet dhe të shohim përpara.
-Sa jeni ju i gatshëm të sakrifikoni Sandër Lleshin?
Jam zero i gatshëm për të sakrifikuar Sandër Lleshin dhe reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi nuk sakrifikohet dhe nuk dua kurrë të mendoj dhe nuk besoj se presidenti është kundër reformës në drejtësi.