Edi Paloka shprehet se Partia Demokratike është angazhuar drejtpërdrejt në lobimin për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë që të çelen negociatat.
Por sipas tij, Shqipëria duhet të zgjidhë krizën e brendshme politike dhe të organizojë zgjedhje të parakohshme në pranverë.
“Lobimi sigurisht që nuk na ka ndaluar të përgatitemi për ato që edhe Europa po i kërkon Qeverisë shqiptare, më e rëndësishme ndër kushtet që i janë vënë Ramës është zgjidhja e krizës.
Dhe zgjidhja e krizës vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të reja”, tha Paloka për A2.
“Nëse ne deri në pranverë nuk realizojmë zgjedhje, jo vetëm që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat, por sigurisht që situata në Shqipëri do të jetë gjithmonë e më e keqe”, vijoi ai.
Sa i përket vendimit të rëndësishëm që të gjithë presin nga Bashkimi Europian, për çeljen e negociatave, Paloka u shpreh se Bundestagu dha një “jo” me kushte.
“Dëshira jonë do të ishte që edhe Franca të kishte vënë kushte dhe të mos jepte një “jo” të prerë.
Unë e kam quajtur edhe më parë që Bundestagu ka thënë “jo” me kushte, sepse po të ishte “po”, do të hapeshin negociatat nesër.
Gjermania dhe shtetet e tjera kërkojnë që Qeveria Rama të plotësojë një herë kushtet, pastaj të hapen negociatat”, tha Paloka.
“Do të ishte më mirë që edhe Franca të kishte këtë qëndrim, sepse do të ishte më mirë për shqiptarët, por edhe për opozitën.
Është më mirë që kjo Qeveri të vihet përpara detyrimeve se sa t’i thuhet një “jo” e prerë të cilën po e shihni se si po e shfrytëzon Rama. Nëse
Rama ka menduar që me të ashtuquajturin “shengenin ballkanik” do të zgjidhë problemet e tij, se shqiptarëve vetëm ua shton problemet, e ka gabim”, vijon Paloka.
Reforma zgjedhore është një tjetër temë e nxehtë e ditëve të fundit, për të cilën opozita ka dorëzuar një propozim me pesë pika kryesore dhe i ka kërkuar mazhorancës që ta zbatojë.
Për Palokën, kryeministri duhet t’i plotësojë këto kushte dhe të hapë rrugën e integrimit, ose t’ia lërë këtë çështje atyre që janë gati.
“Ne nuk mund të pranojmë të bëhemi pjesë e një komisioni ilegjitim, që e drejton Damian Gjiknuri, i cili duhet të ishte në burg për krime elektorale.
Ne jemi plotësisht dakord që kjo reformë duhet kryer, kemi përcaktuar pesë pika që orientojnë procesin.
Nuk kemi vendosur kushte që mund të injorohen. Për ne rëndësi ka që të kryhet me seriozitetin e duhur dhe të japë produktin e duhur”, tha Paloka.