Edhe pse zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e NATO-s kanë ngritur zërin dhe tonet politike për të mbrojtur Ballkanin Perëndimor nga ndërhyrja dhe ndikimi keqdashës rus, partia e ish presidentit Ilir Meta, përmes bashkëshortes Monika Kryemadhi, ka vazhduar të financohet nga paratë ruse…
Nga Frrok Çupi
Ku më shumë se në Komisionin e Zgjedhjeve do t’i interesonte Rusisë që të hidhte ‘naftë’, domethënë pagesa. Këtu ndodhet pika ku kalojnë vijat dhe ku mund të devijohet demokracia në Shqipëri. Devijimi i stabilitetit dhe demokracisë në Shqipëri e në vendet e Ballkanit është interesi më i nxehtë i Rusisë.
Gazeta e informacionit zyrtar të BE, “EU Reporter”, ka publikuar të dhëna të një ngjarjeje skandaloze të financimit të Rusisë te partitë e opozitës në Shqipëri. Sipas këtij informacioni Monika Kryemadhi ka marrë pagesa nga kompania offshore Holdem Holdings, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.
Edhe pse zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e NATO-s kanë ngritur zërin dhe tonet politike për të mbrojtur Ballkanin Perëndimor nga ndërhyrja dhe ndikimi keqdashës rus, partia e ish presidentit Ilir Meta, përmes bashkëshortes Monika Kryemadhi, ka vazhduar të financohet nga paratë ruse. Kohë më parë, CIA kishte njoftuar se Partia Demokratike e Shqipërisë, në bashkë- kryetarësi mes Berishës e Bashës, ishte financuar me shuma më të mëdha nga Rusia. “Rusia e ka pohuar veten gjithnjë e më shumë në rajon, i cili ka një rëndësi të madhe gjeostrategjike për Moskën dhe i ofron Rusisë një mundësi për të minuar BE-në dhe NATO-n, si dhe për të luftuar ekspansionizmin e perceptuar brenda Evropës’, shkruan gazeta e BE, “EU Reporter”. Departamenti i Shtetit i SHBA, përmes funksionarëve dhe të të dërguarve në Ballkan, ka bërë deklarata që mund të quhen edhe ‘Vëmendje!’ se lufta e Rusisë tashmë është e qartë, por se u duhet vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ‘çojnë përpara reformat demokratike”.
Nëse në rrjetën e ‘demokracisë, gjen të çara, atëherë Rusia hyn e qëndron ‘në relax’ në vendet e Ballkanit.
Shqipëria ndodhet në një moment delikat të demokracisë; kjo është arsyeja që Rusia përqendrohet këtu. Në njërën anë, përballë demokracisë sonë është sulmi që i bëjnë paqes dhe stabilitetit dy ish- presidentët Berisha dhe Meta; në anë tjetër kemi përballë zgjedhjet për pushtet lokal. Nëse Rusia i ka ‘në xhep, si Berishën edhe Metën, sulmin e ka përqendruar për goditjen dhe hedhjen në erë të procesit të zgjedhjeve të 14 Majit. Me këtë rrugë Rusia do të realizojë gjunjëzimin e Shqipërisë dhe favorizimin e dy partive politike (PD e PL) që janë financuar nga paratë ruse.
Goditja mbi procesin e zgjedhjeve ka nisur që me destabilizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë këtyre ditëve KQZ deklaroi se ‘njeh Berishën si kryetar i PD’, gjë që destabilizon besimin te Gjykatat dhe kredibilitetin e SHBA në fushën e demokracisë në Shqipëri. Pas kësaj KQZ përdori gjithfarë marifetesh për të lënë jashtë zgjedhjeve PD-në zyrtare, të njohur botërisht si PD e ligjshme. Kjo do të godasë fort demokracinë në vend. Edhe në vitin 2017, PD e financuar dhe duke ndjekur porositë e Rusisë, nuk hyri në zgjedhje; hendeku që krijohet edhe kësaj radhe e rrënon përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtetin vendor. Situata e krijuar nga KQZ është e njëjtë me atë situatë që do të dëshironin të binte nga qielli si Berisha e Meta, por edhe Rusia.
Pse këmbënguli aq shumë në vendimin e tij zoti Celibashi?
Nuk kishte rrugë tjetër kur bie erë naftë; ‘padroni’ i tund kërcënimet para syve secilit që e ka futur veten në situata të shantazhueshme. Paratë e Rusisë, përmes naftës ruse, duket se kanë hyrë deri në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Këtu, me sa duket mbyllet cikli i financimeve nga vende jo miqësore me Shqipërinë:
Vija ciklike është Moskë- PD- PL- Monika- KQZ.