Një gazetar i RAI-t mbërrin në Tiranë për protestat e Partisë Demokratike. Punon gjithnjë në Itali, njeh pak njerëz këtu, ka pak burime.
Por ka një fat të pabesueshëm: në më pak se 24 orë gjen një “kontakt”, që ka aq shumë besim tek ai, sa që i organizon një takim me një trafikant droge në një bazë të fshehtë, i cili, pa ndonjë motiv të dukshëm, pranon të rrezikojë të zbulohet, vetëm për kënaqësinë që të tregojë para telekamerave një qese me disa kile marijuanë dhe një kallashnikov.
Po çështja është: çfarë thotë trafikanti? Se paratë e drogës shërbejnë për të blerë votat në zgjedhje. Dhe ku jeton trafikanti? Natyrisht në Shijak.
Koincidenca e parë: tregimi i “trafikantit” dhe vendi i intervistës koincidojnë në mënyrë të përsosur me përmbajtjen e përgjimeve, që PD po përdor për të akuzuar qeverinë se ka manipuluar votat më 2017.
Koincidenca e dytë: “trafikanti” nënvizon në intervistë se, “ashtu sikurse ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, ashtu do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme”.
Koincidenca e tretë: Basha e përdor menjëherë intervistën për “të konfirmuar se ekziston një plan për të vjedhur votën edhe në zgjedhjet e ardhshme”.
Koincidenca e katërt: Basha thekson se, pas “Zërit të Amerikës”, edhe këtë herë është gjetur prova nga një “gazetar investigativ i huaj”.
Kushedi pse trafikantët shqiptarë të drogës (anonimë) u japin intervista vetëm gazetarëve të huaj, ose gazetarëve të PD-së.
Për të gjithë gazetarët e tjerë, t’i gjesh ata, është gjithnjë e pamundur, sidomos kur nuk flasin për t’u mbrojtur nga ndonjë akuzë, por (si në këtë rast) flasin për t’u vetëakuzuar për shumë krime.
Dhe kushedi pse këto “scoop”-e gjithnjë konfirmojnë tezat politike të PD-së. Edhe kjo është vetëm një koincidencë? Apo edhe gazetari i shkretë i RAI-t besonte se do të bënte scoop-in e jetës së tij, por mbeti viktimë e një “Babaleje” tjetër?
Por ne shikim të parë më i besueshëm pse nuk u prodhua nga një “gazetar investigativ” i Partisë Demokratike, por nga një gazetar i pavetëdijshëm i televizionit publik italian./Shqiptarja.com