Edith Harxhi ishte sot e ftuar në “Top Talk”, ku foli për “situatën kritike të Partisë Demokratike”. Sipas saj, Partia Demokratike është rrudhur më shumë se kurrë ndonjëherë.
“Berisha e legjitimoi përfundimisht Bashën si kryetar partie, pavarësisht se unë nuk e njoh si kryetar partie.
Është kryetar me 30% të anëtarëve të votuesve vetëm. PD shumë shpejt do të zhduket nëse do të vazhdojë kështu”, tha ajo.
E pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja për deklaratat e mëparshme të saj, se Basha nuk lejohet të udhëtojë drejt Amerikës, Harxhi thotë se është më shumë se dyshim:
“Kam bërë një deduktim logjik të gjendjes së Bashës, për të udhëtuar në SHBA, dhe në bazë të disa informacioneve, pasi unë vij nga fusha e diplomacisë vetë e di dhe nuk është thjesht dyshim”.
Ish-kandidatja për kryetare e së djathtës, shprehet se kryetari aktual i PD-së ka shfrytëzuar për interesin e tij praninë e ish-kryetarit, Sali Berisha në kuvendin kombëtar të së djathtës, në 17 korrik:
“Basha ka përdorur praninë e Berishës në kuvendin kombëtar. Ai kërkon çdo lloj mbështetje, ndihet mirë në mbështetjen e Berishës. Kishte nevojë të dilte dhe t’i tregonte, qoftë edhe vetes së tij, që përkrahja nuk ka humbur”.
Në zgjedhjet brenda partisë, që u mbajtën në 13 qershor, pas humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha arriti të marrë mandatin e tretë në kryer të partisë, me , 32.882 vota nga 41.000 demokratë që morën pjesë në votim .