Dëshira e fundit e Osman Takës i dë nuar me varje: Unë dua një sufra dhe sazet e Filatit e Konispolit se do të kërcej një valle të burrave të Konispolit, dua orkestrën e Braho Salametit”. Si ia fali jetën Valiu i Janinës: Po ky është rrap, nuk kam parë burrë më të hijshëm, trim, elegant, nuk kam parë të tillë div, të tillë artist.. nuk mund të v desë
Nga Alba Haruni
Vallja Çame si pjesë e kolanit të valleve tradicionale shqiptare, kërcehet me shumë elegancë. Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka dhe lirizëm, ka një lirshmëri ku i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore. Vallja nis me hap të thjeshtë, ku hapat ndjekin rritmin e njeri- tjetrit dhe vërtet thua se diçka do të bësh. Fuqia e madhe emocionale dhe vlera estetike e valles Çame , ka tërhequr vëmendjen e studiuesve si te vendit ashtu edhe të huaj, të cilët kanë folur për përhapjen e saj edhe tek greket te cilër e quajnë “Çamiko”. Madje shkolla koreografike e Janinës e jepte edhe tekstin shqip. Njihen disa variante që praktikohen edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Jugut, me emërtime, kompozicion koreografik dhe shoqërim vokal-instrumental të ndryshëm. Më e popullarizuara luhet si “Vallja e Isuf Arrapit” dhe “Vallja e Osman Takes”.
Kjo valle në origjinë ishte e Epirit, por u quajt vallja e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka nga Konispoli, patriot i kohës, u kap dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe dënohet me varje.Para se ta varnin ai shprehu dëshirën e tij të fundit: “ O Mexhid Bej, kërkesa ime e fundit në këtë botë është paksa e cuditshme. Unë dua një sufra dhe sazet e Filatit dhe të Konispolit se do të kërcej një valle të burrave të Konispolit, dua orkestrën e Braho Salametit.”Pasi erdhi orkestra dhe sufraja, Osman Taka nisi të kërcejë para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Vallen e kërceu shumë bukur. Falë bukurisë trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë bëri që hanemja e Valiut të ngrihej në këmbë dhe të thosh: “Po ky është rrap, nuk kam parë burrë më të hijshëm, trim, elegant, nuk kam parë të tillë div , të tillë artist, në asnjë vend të perandorisë. Gjynah të varet ky njeri e këta burra. Unë do ndryshoj fermanin e Portës së Lartë” dhe u ngrit në podjumin e varjes dhe kërkoi të luhej vallja përsëri. Dokumente arkivorë të Janinës thonë realisht se që pas kësaj valleje e shoqja e valiut ka kërkuar atij që Osman Taka të mos vritet. Dhe në të vërtetë ai u fal e që nga ajo ditë kjo valle u quajt Vallja e Osman Takës.
E vecanta e kësaj valleje është se sa më mjedis të ngushtë të ketë aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë. Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë dy tre valltarët e tjerë, pra duhet që me muskujt e barkut të mbahen dy, tre valltarë të kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysëm. Këtu theksoj anën historike të valles që nuk kemi të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore.
Vërtet kjo valle ka kaluar brez pas brezi, ku secili valltar ka vendosur në të elementë të shpirtit të tij. Nje nga valltarët më të spikatur të kësaj valleje është dhe Taip Madani nga Konispoli që me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në tetor 1978, e bëri vallen e Osman Takës një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të atyre viteve.Sot kjo valle luhet në të gjitha dasmat shqiptare dhe në të gjitha skenat ku prezantohen vallet dhe traditat e kombit shqiptar./27.al/