Nga Gjergj Zefi
Njerëz që sot janë mbështetës mediatikë të Lulzim Bashës në betejën e tij me Sali Berishën, po përsërisin papushim tezën se kreu i PD-së ka mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë e përsëriti edhe Gazment Bardhi, në deklaratën para selisë blu. Realisht ka një mbështetje të qartë që është përçuar edhe nga zyrtarë të nivelit të lartë siç është Gabriel Escobar, numri 3 i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vizitoi selinë e PD-së, posaçërisht gjatë turit të tij në Tiranë.
Megjithatë, asnjëherë nuk është analizuar me thellësi kjo mbështetje amerikane se çfarë përfaqëson, dhe a po e kupton Lulzim Basha e njerëzit e tij përreth sinjalin politik që po i vjen nga shteti më i fuqishëm i botës?
Natyrisht që është e qartë se qeveria e SHBA, mbështet Lulzim Bashën në përplasjen e tij me Sali Berishën, madje ishte SHBA që i ka dhënë Bashës “plotfuqinë” për të ndërmarrë veprimin më të rëndësishëm të tranzicionit, atë të shpalljes ‘non grata’, e më pas përjashtimin nga grupi i PD-së.
E, sa do të vijojë kjo përplasje tribale e njerëzve të Sali Berishës për të marrë Partinë Demokratike që ta përdorin si bunker për hallet personale, nuk ka dyshim që SHBA por edhe vendet e BE si Gjermania, Italia etj do të jenë në anën e Bashës.
Por, kjo mbështetje rrezikon që të jetë xhiro bosh nëse vetë Basha nuk arrin të kuptojë dhe ta nisë aksionin e duhur politik.
Përveç logjikës së kundërshtimit tashmë të hapur ndaj Berishës dhe Metës, të cilët kanë 5 vjet në luftë të egër me Perëndimin, mbështetja e fortë për opozitën e Lulzim Bashës, është edhe një sinjal shumë i qartë drejtuar Edi Ramës.
Një sinjal që është në plotkuptimin e tij në një udhërrëfyes për ndryshim në politikën shqiptare, duke kërkuar dhe nxitur një opozitë që të sjellë largimin e Edi Ramës.
Por këtë ndryshim nuk mund ta sjellë Lulzim Basha, nëse vërtet mendon se mund të vijë në pushtet thjesht sepse “vrau babanë”. Kjo është alfa dhe veprimi i parë që duhet ta kishte bërë sapo mori drejtimin e PD-së 9 vjet më parë. Lulzim Basha është ndëshkuar me votë nga shqiptarët jo vetëm se nuk “vrau” Sali Berishën, por edhe sepse vizioni dhe koncepti i tij politik ka qenë i çalë, edhe sepse e ka rrudhur PD-në duke e mbyllur e jo duke hapur drejt shoqërisë apo rrymave të së djathtës që kanë themeluar Partinë Demokratike në vitin 1992 e më pas u larguan prej Sali Berishës.
Nëse Basha kërkon realisht që të largojë Berishën e ta mundë klanin e tij, duhet të hapë portat e selisë qendrore për të gjithë viktimat e persekutimit berishist. Kjo, jo duke dhënë poste automatike në administratën e PD-së për ca njerëz që ai i zgjedh me letër me vrimë, por duke bërë një gjest politik, ku të rithemelojë opozitën shqiptare në mënyrën më të sinqertë e të hapur.
Pas kësaj, të udhëheqë të paktën në 5 bashkitë ku pritet të votohet së pjesshmi, një fushatë ku të përzgjedhë kandidatët më të mirë e që publiku i pret, pavarësisht nëse janë apo jo anëtarë të PD-së.
Më pas ta bëjë të njëjtën gjë me kandidatët për zgjedhjet lokale të përgjithshme, duke nisur që nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça etj, ku të vendosë jo njerëzit e tarafit të tij, por emra që vijnë nga “rithemelimi i PD-së”. Pasi të bëjë këtë, të hapë garën si për kryetar të PD-së, por edhe për një udhëheqësi krejt të re, e jo pjesë e strukturave tashmë tribale e të kalçifikuara që kanë ndërtuar klane, që marrin para andej- këtej për të propozuar kandidatura për kryebashkiakë e deputetë. Nëse e bën mirë këtë detyrë, e nëse realisht arrin të kuotohet lart në sondazhe, mund të drejtojë garën për zgjedhjet e përgjithshme.
Nëse jo, duhet të hapë rrugë për t’i dhënë vendit një klasë politike krejt të re. Ja kjo është mbështetja reale e Amerikës për Lulzim Bashën. Nëse nuk e kupton dhe rri në bunkerin që po e krijon për të shpëtuar nga Berisha, aha, qoftëlargu do ta shtypë si buburrec dhe askush nuk do ta ndihmojë dot…/Pamfleti