Komisioni i Rithemelimit të PD-së ka publikuar një foto ku theksohet, sipas tyre, se njerëz me maska dhe të armatosur qëndrojnë brenda selisë së PD-së. E kjo dy ditë para protestës së madhe që ka thirrur Sali Berisha.
“Ja për kë qëndron e hapur Selia e PD! Ndërkohë demokratët e sakrificës e deputetët e tyre qëndrojnë jashtë. Kjo merr fund ne 8 Janar”, shkruan zëdhënësja e ”Foltores”, Floriana Garo.
Portali i familjes Berisha shkon edhe më larg.
“Deputetët dhe anëtarët e PD nuk lejohen të futen brenda, por nga ana tjetër duket se bunkeri i Bashës dhe Gazit paska zyra për ‘grupin e zjarrit’ që rrinë në gatishmëri për të nxitur dhunë dhe provokuar.
Personat që shihni në foton, që është bërë brenda Partisë Demokratike, janë të gjithë të maskuar si dhe të armatosur. Fatkeqësisht PD nuk duket më si kështjellë e lirisë, por si celulë terroriste.
SYRI mëson se foto është realizuar në katin e dytë të selisë së PD, para se të shkosh te zyra e Bashës, rreth tre orë më parë. Në foto me ta është edhe pastruesja e PD, Donika.
Burime për SYRI-n bëjnë të ditur se personat në foto janë pjesë e Forcave të Armatosura të Ushtrisë që kanë qenë edhe pjesë e misioneve ushtarake në Afganistan dhe vende të tjera.
Gjithashtu, ka të dhëna që personat e rrezikshëm që ndodhen brenda selisë së PD trajtohen me ilaçe kundër depresionit si dhe janë të droguar”, shkruan portali i familjes Berisha.
Foto vërtet është bërë në PD, por dy vite me parë në fakt.
Dhe personat që ndodhen në të, kanë qenë ata që sulmonin Kryeministrinë me molotov.
Ndaj dhe janë maskuar, që të mos identifikoheshin.
Por Sali Berisha, ashtu si dy vite më parë, edhe tani është duke i manipuluar, këtë radhë thjesht duke përdorur foton e tyre, të shkrepur gjatë një aksioni të frymëzuar nga vetë Berisha.