Kryeministri Edi Rama dhe homologët e tjerë të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pjesë në forumin e Delfit në Greqi.
Gjatë video-konferencës është rikthyer në vëmendje edhe lëvizja e lirë mes vendeve të rajonit.
Në fjalën e tij, presidenti Aleksandër Vuçiç zbuloi faktin se miku i tij, kryeministri Rama e urren termin “minishengen” pasi sipas Ramës, ky term është serb.
“Ne kemi ndërmarrë një nismë bashkëpunimi që unë e quaj “Minishengeni Ballkanik”, por miku im Edi që është me racional dhe pragmatik është i zemëruar me këtë term sepse është përcaktim serb. Esenca e minishengenit është që të sigurohet lëvizja e lirë e njerëzve, kapitalit e mallrave në rajonin tonë. BE mbështet të njëjtat vlera për projektet e ndërlidhjes dixhitale dhe infrastrukturën mes nesh,”-u shpreh Vuçiç.
Ndërsa pas tij, fjalën e mori Rama, i cili i peshoi faktit që ai e urren termin “mini-Shengen” duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e projektit.
“Presidenti serb e nënvizoi shumë mirë përpjekjen tonë të përbashkët që ai preferon ta quajë minishengen, term të cilin unë e urrej. Ky është një nga këndvështrimet e ndryshme mes nesh, edhe pse njësoj besojmë në lëvizjen e lirë të qytetarëve, kapitalit dhe mallrave. Nuk është një shëtitje, por një betejë kundër stereotipeve të shoqërisë sonë dhe administratës publike,”-tha Rama.