Mjeku i njohur, Drini Dobi ka ndërruar jetë nga koronavirusi. Ai ishte nisur për mjekim më të specializuar në Itali, por nuk e ka fituar betejën me Covid-19. Në rrjetet sociale kishte nisur një fushatë për grumbullim fondesh për mjekimin e neurologut të njohur, por ai nuk mundo dot të mbijetojë.
Postimi nga Universiteti i Mjekësisë:
Requiem
Dr.Drini Dobi nuk ka nevojë për një jetëshkrim.
Dr.Drini Dobi është vetë jetëshkrimi. E ka shkruar jetën e tij përmes një lumi të rrjedhshëm, ku kridhen qindra jetë të shpëtuara dhe qindra shpirtra të shëruar.
Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në mirësinë e tij.
Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në profesionin e tij.
Mjafton të thuash Dr. Drini Dobi dhe ke thënë gjithçka
Gjithçka thuhet për një njeri, tek i cili rrjedh natyrshëm dhe vrullshëm virtyti dhe profesionalizmi.
Rrjedha e Dr. Drini Dobit do t’u mungojë të gjithëve.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.