Nuk e marrim vesh, pse kaq turbull dhe i shqetësuar Presidenti ynë? Si mund të shuhet konflikti politik me një dekret të tretë, kur dy të parët e ndezën më shumë krizën politike të vendit!? I pari që nuk e pranoi dekretin e fundit ishte Lulushi, për të cilin Presidenti na tha se e kishte bindur, kur ai deklaroi se nuk shkojmë në zgjedhjet e 13 tetorit pa larguar Ramën! Në të vërtetë, Presidenti i hodhi dhe një kovë me benzinë zjarrit që kishte ndezur me dekretin e papranueshëm. Dhe përgjigjen e mori nga rrethi i Shkodrës, Beratit, Mirditës, që me të dëgjuar dekretin e ri iu lëshuan objekteve shtetërore dhe u vunë zjarrin Çfarë dogjën shkodranët, objektet apo dekretin e Presidentit?
Problemi nuk është aq i thjeshtë sa të shuhet nga një copë letër, që quhet dekret presidencial. Po të zgjidhej kriza me një copë letër nuk do të shpërthenin aq ashpër kancelaritë e botës sa dëgjuan dekretin e Presidentit. Dita e zgjedhjeve nuk është si ligjet e Kuvendit, që pasi i torolis, i kthen kur të duash e si të duash. Këtu bëhet fjalë për një datë të caktuar, që as shtyhet as anulohet sipas dëshirës. Populli e ka ditën e tij për të shprehur me votë mendimin për forcat politike dhe kandidatët që paraqiten. Presidenti argumentoi, se dita e zgjedhjeve duhet të jetë gjithëpërfshirëse, por harroi kur tha, se kush të dojë le të vejë në votime! Çfarë bëhet kështu me të drejtat legjitime të popullit? Dekretet nuk janë lomçka, që u vë nga një bisht dhe i rrotullon gjithë ditën. Përse Presidenti i drejtohet me letër Kryeministrit, kur Lulushi me të cilin bisedon dhe ha në një govatë nuk e pranoi atë dekret? Opozita e ka dhënë verdiktin e saj, se kërkon qeveri tranzicioni dhe largimin e Kryeministrit, çfarë përgjigje u dha për ta zgjidhur këtë ngërç? Pa zgjidhur këtëg, s’mund të bëhet fjalë për ditë tjetër zgjedhjesh. A mund të shkohet në zgjedhje me këto kushte, që nuk mund të realizohen derisa të gjendet një shkak i padiskutueshëm!? A e mendoi Presidenti, se kush do t’i bëjë zgjedhjet e 13-tetorit, kur pushteti që i organizon ato është kundër dekretit? Si mund të bindet qeveria, kur rrufetë e ardhura nga gjithë bota nuk e pranojnë këtë dekret? Iku ajo kohë kur Shqipëria quhej fener ndriçues në gjithë botën. Veprimi i Presidentit këtë nënkupton, luftë kundër gjithë botës! Përse Presidenti nuk i bën thirrje ndërgjegjes së tij, kur nuk e mbështet asnjë strukturë e shtet i huaj dhe jemi plotësisht të izoluar.
Na çudit fakti që Presidenti e ka humbur qetësinë që kur nxori dy dekrete. Veç Ramës i është drejtuar me një letër edhe popullit, që të mos konfrontohet. Përse të konfrontohet populli dhe kush e nxiti për këtë? Presidenti flet me dekrete, jo me propagandë. Nëse dekretet nuk kanë fuqi ligjore për të mbrojtur veten e tyre, nuk mund t’i mbrojnë letrat pa asnjë kuptim. Ai u drejtohet njerëzve që të mos nervozohen, po kush i detyron të nervozohen, kur dekreti i fundit doli me pretekst që të arrihet bashkëpunimi mes tyre! Përse arriti deri në këtë nervozizëm Presidenti, që na këshillonte për qetësi e dashuri? Fatkeqësisht, atë djalë që ne e kemi mbrojtur, e mori në qafë plaku i lagjes. I ndjeri Demir Nurellari, kur pinë bashkë një kafe tek Verori, i tha shqip: “Ne po të mbështesim, po nuk na vjen mirë kur të shikojmë në krah të Sali Berishës”. Nuk e dëgjove Demirin, nga i cili kishte mësuar i gjithë Skrapari dhe ja ku të shpuri mendja jote. Mbahu zoti President, se je djalë Skrapari. Të parët tanë, burrat e mençur e të pashkolluar të Skraparit, kur panë konfliktet dhe vrasjet me njëri-tjetrin në 20 qershor të vitit 1919, u mblodhën në teqenë e Kulmakut dhe lidhën besën. Që atëherë, Skrapari nuk pati as vrasje, as pëçarje. Unë që po shkruaj, kam një muaj që u jam drejtuar të gjithë skraparasve, brenda e jashtë vendit, që të mblidhemi e të bashkohemi, se po humbasim traditat dhe dinjitetin e rrethit. Nuk më vjen mirë që në pallatin tim vazhdojnë të bien zilet e telefonave nga bashkia, që u rekomandojnë për të votuar duke i paralajmëruar, se jeni të monitoruar nga ne! Zgjedhjet janë të lira dhe vete ose s’vete nuk ka pse të bien zilet. Por unë kam frikë, se në tetor Presidenti do të nxjerrë një dekret tjetër, që të çdekretojë këtë që nxori. Me botën e prishëm, edhe me njëri-tjetrin po e prishim duke nxjerrë thika e molotov, po ku do të vemë kështu!? /Nga Enver CAKAJ