Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Indi ku kanë humbur jetën të paktën 11 persona dhe disa të tjerë janë plagosur të dielën, si pasojë e goditjes së rrufesë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se viktimat në momentin e ngjarjes kanë qenë duke bërë selfi në një kullë vrojtimi të shekullit të 12, një atraksion i njohur turistik në qytetin verior të Jaipur.
Në momentin e goditjes së rrufesë në kullë kanë qenë 27 persona. Nga 2004 deri më tani në indi kanë humbur jetën nga goditja e rrufesë rreth 2000 persona.
Ndërkohë kryeministri i shtetit, Ashok Gehlot, ka njoftuar kompensim për familjet e atyre që humbën jetën.
Sezoni i musoneve në Indi, i cili sheh shira të mëdha, zakonisht zgjat nga qershori deri në shtator. Departamenti Indian Meteorologjik (IMD) ka thënë se vdekjet nga goditjet e rrufesë janë dyfishuar në vend që nga vitet 1960 – një nga arsyet që ata përmendën ishte kriza e klimës.
Të dhënat thonë se incidentet e rrufesë gjithashtu janë rritur me 30% -40% që nga fillimi deri në mes të viteve 1990. Në vitin 2018, shteti jugor indian i Andhra Pradesh regjistroi 36,749 goditje rrufe në vetëm 13 orë. Zyrtarët thonë se ato janë më të zakonshme në zonat me mbulesë më të hollë pemësh, duke i lënë njerëzit të prekshëm nga goditja.