Vala e të nxehtit ekstrem që goditi këtë javë Italinë, e pagëzuar me emrin “Nerone”, ka bërë që në Milano termometri të regjistrojë temperaturën më të nxehtë të 260 viteve të fundit.
Këtë e ka bërë të ditur Arpa Lombardia, duke iu referuar të dhënave nga stacioni meteorologjik Milan Brera që raporton të dhëna për temperaturën që nga viti 1763.
Temperatura mesatare e të mërkurës, prej 33°C ka thyer rekordin e vendosur më 11 gusht 2003.
Vala e gjatë dhe intensive e të nxehtit, e cila nisi rreth datës 15 gusht, ka arritur kulmin ditët e fundit, duke shënuar gjerësisht vlera maksimale nga 35 deri në 39 gradë në fusha dhe në Apenine, por në disa raste ka arritur edhe 40 gradë.
Ndërkohë, në pritje të ardhjes së masave më të ftohta të ajrit dhe reshjeve, edhe në Firence do të aktivizohet alarmi i kuq deri të dielën më 27 gusht, ndërsa të premten ishte i aktivizuar për 19 qytete.