Gazetari Artan Hoxha tha në Euronews Albania se hakerimi për të cilin pretendohet se ka ndodhur lidhur me e-mailet e prokurorëve të SPAK, nuk ekziston. Ai tha se ndërhyrja në postën elektronike të prokurorëve është kryer nga punonjës brenda institucionit. Sipas gazetarit, ajo çfarë ka ndodhur, është një vjedhje e të dhënave brenda sistemit. Hoxha shtoi se një nga elementët që ka sjellë një situatë të tillë, është rivaliteti brenda institucionit të SPAK.
“Flitet për hakerim por nuk ka hakerim. Hakerim është kur ndërhyet nga jashtë në sistem, pra nuk është prekur sistemi nga jashtë. Askush nuk ka hyrë në SPAK. Nëse do të kishte ndodhur kështu , do të kishte justifikim sepse nga jashtë është hakeruar deri te shërbimet më inteligjente që ka bota sot.
Ka patur përpjekje të tilla por në rastin konkret nuk kemi një sulm të jashtëm ndaj SPAK. Fjala hakerim është futur qëllimisht për të shmangur të gjitha pasojat e tjera që mund të vijnë. Kjo është bërë me qëllimin për t’u spostuar nga ai që është thelbi i vërtetë i kësaj historie. Kemi të bëjmë me një vjedhje të dhënash nga brenda sistemit, nuk ka ndodhur gjë nga jashtë. Arsyeja pse është munduar të shmanget pjesa e vjedhjes brenda sistemit, është për të treguar se ka një përplasje mes pjestarëve të SPAK brenda këtij institucioni. Ky është një nga elemementët, për shkak të qëndrimeve të ndryshme që kanë. Pra rivaliteti që po zhvillohet brenda SPAK-ut.
Ka një hetim të brendshëm duke krijuar dhe këtë problematikë. Materialet që jane vjedhur janë më shumë së ato që kanë dalë. Ata që kanë bërë këtë veprim që i ka nxjerrë të dhënat jashtë, kanë bërë testimin e parë. Kanë dashur që ata t’i çojnë në media, ti publikojnë duke i çuar tek dy gazetarë”, tha Artan Hoxha.