Shqipëria, në raportet e ndryshme ndërkombëtare, konsiderohet si një vend varfër, ku ka dështuar rritja ekonomike.
Në fakt, të varfër dhe pa perspektivë janë qytetarët, por jo politikanët. Këta të fundit, janë shumë të zënë duke rritur mirëqenien e tyre.
Portali CNA ka botuar disa shkrime dhe nje foto lidhur me ish-ministrin e Transportit në Qeverinë “Rama 1” dhe ish-ministrin e Ekonomisë dhe zv/kryeministër në Qeverinë “Berisha 2”, Edmond Haxhinasto.
Referuar shkrimit, Haxhinasto dyshohet të ketë fshehur një vilë që ndodhet në një nga resortet turistike në Gjirin e Lalzit.
Kjo pasuri, nuk gjendet në formularët e deklarimit të pasurisë të administruara nga ILDKPKI. Vila e padeklaruar, ka një sipërfaqe banimi prej gati 400 metër katror , është e rrethuar një kopsht gjelbërues prej rreth 500 metër katror dhe dyshohet se shkon rreth një milion euro.
Haxhinasto, gjatë kohës që mbante postin e Ministrit të Ekonomisë, është lakuar në lidhje me skandalin për tenderin e koncensionit të Rrugës së Kombit si dhe për tenderin për qindra ton naftë bruto – shkruan portali.
Vetë Haxhinasto, i pyetur për këtë vile thotë se “është në pronësi të vjehrrit”.
“Objekti që ju pretendoni se është në pronësinë time dhe i padeklaruar, në fakt është ndërtuar nga Kompania Lerenti, me aktivitet mbi 20 vjeçar në fushën e ndërtimit të blloqeve të apartamenteve dhe vilave në Durrës dhe në Tiranë, në pronësi të vjehrrit tim, zotit Kozma Nasto, e cila, në dijeninë time, ka kohë që është shitur, si qindra apartamente të tjera në zonën e plazhit”, ka thënë Haxhinasto, duke mohuar kështu pronësinë.
Por portali kembengul se vila eshte e ish-ministrit ndonese ai mund ta ketë vendosur në emrin e vjehrrit.
“Nga të dhënat që ne kemi siguruar dhe dokumentuar me foto, vila është ndërtuar nga një tjetër kompani dhe jo nga kompania “Lerenti”, që i përket vjehrrit të Haxhinastos. Në fakt, vila, foton e së cilës po e publikojmë më poshtë, i përket Edmond Haxhinastos. Ne kemi verifikuar se në atë vilë është parë vetëm Haxhinasto, është ai që u jep urdhërave bahçevanëve dhe kujdeset për vilën, ndërtimin e saj dhe gjithçka tjetër. Gjithashtu as punëtorët dhe askush nuk e ka parë vjehrrin e tij. Është parë vetëm Haxhinasto me Toyotën e tij. Për më tepër, kompania e vjehrrit të tij nuk ka marrë leje për të ndërtuar ndonjë resort në Gjirin e Lalzit” – shkruan CNA.