Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma. Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë:
“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo.
“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.
Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”.