Në “Piers Morgan Uncensored” po transmetohet pjesa e dytë e intervistës së Kristiano Ronaldos. Sulmuesi i Mançester Junajtedit ka vendosur të flasë pa doreza duke i thënë gjërat hapur, ashtu siç ai i mendon. Në fund të intervistës biseda përqendrohet te Kupa e Botës dhe rivaliteti me Mesin, për të cilin tregon konsideratën e lartë që ndjen. Megjithatë, në fushën e lojës rivaliteti mes tyre do të jetë gjithnjë prezent. Këtë e pranon edhe vetë Ronaldo, që merr nga Pirs Morgan edhe skenarin e ëndrrave që do e bënte të ndërpriste menjëherë karrierën.
Argjentinë-Portugali në finale. Mesi shënon dy gola po ashtu edhe ti, në minutën e fundit shënon golin e tretë dhe fiton Kupën e Botës. Është kjo ëndrra jote? “Është shumë e mirë. Nuk e pres një ëndërr kaq të mirë. Mund të shënojë një lojtar tjetër, nuk më intereson. Nëse Portugalia do të jetë në finale, le të shënojë edhe portieri. Do jem njeriu më i lumtur në botë. Por nëse kjo është shumë mirë, nëse ndodh atëherë e lë menjëherë futbollin.
Mesi? I paparë. Si lojtar është magjik. Si një person, ne kemi ndarë këtë skenë për 16 vite. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Nuk jam shok me të, që të flas në telefon apo ta vizitoj, por është një person që vërtetë e respektoj. Edhe për mënyrën se si flet për mua.
Është një djalë i shkëlqyer, bën gjithçka për futbollin. Kurrë nuk kemi darkuar bashkë. Pse jo të mos darkoj me të? Më pëlqen të takon njerëz, të ndaj ide dhe histori. Do e bëj me siguri. Siç bënë edhe Maradona me Pelenë. Jam njeri i mirë, kam një zemër të mirë. Nuk më pëlqen të kritikoj njerëz. Dua të luaj edhe 2-3 vite më shumë. Do të jëm 40 vjeç. Një moshë e mirë. Por ndonjëherë ti bën plane për jetën, por nuk e di se çfarë do të ndodhë“, ka thënë Kristiano Ronaldo.