Mbrëmjen e sotme, media italiane “RAI3” do të transmetojë episodin e dytë të dokumentarit për Shqipërinë, ku do të jetë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Rama shkruan se sot do të ballafaqohen faktet në emisionin Report, teksa shtoi se episodi i parë përzieu në të njëjtin kazan sherrin politik italian për marrëveshjen Itali-Shqipëri me llumin e eksportuar nga mediat e Tiranës.
“E dua Giorgion por dua më shumë të vërtetën”
“RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politike italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tremijë migrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, duke cënuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje.
Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pacensuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.
Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë
*Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report”, shkruan Rama.