Presidenti Ilir Meta këmbëngul për të mbajtur një referendumin për ndryshimin e Kushtetutës që t’ju lejoj shqiptarëve për t’u shprehur për çështje të veçanta. “U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte ! Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime! Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve. Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet? Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!”, shkruante së fundi presidenti në një postim në Facebook.
Presidenti e mbështet idenë e tij me nenin 150 të Kushtetutës në të cilën parashikohet e drejta për referendumet. “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”, thuhet në pikën 1 të këtij neni.
Në pikën 2 të këtij neni përcaktohet se “Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum”. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Kur u takua me përfaqësues të shoqërisë civile Meta paralajmëroi se do të nis një turi nëpër Shqipëri për të mbrojtur atë që e cilëson “mos shkeljen e Kushtetutës”.
Por jo gjithçka duket kaq e lehtë sepse nisma e 50 mijë shtetasve që parashikohet në Kushtetutë nuk është se parasheh iniciativa që synojnë ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit shqiptar.
Në një vendim të sajin në korrik të vitit 2009, Gjykata arrin në përfundimin se Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese vetëm brenda kufijve të parashikuar nga neni 177. “E drejta e 50 mijë shtetasve me të drejtë vote për të kërkuar shfuqizimin e një ligji, sipas nenit 150, nuk shtrihet në ligjet për rishikimin e Kushtetutës. Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.47, datë 05.06.2008 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas kërkesës së nismëtarëve për të iniciuar një referendum për ndryshimin e Kushtetutës”-thuhet në vendimin e Kushtetueses .
Lëvizja e Presidentit për mbledhjen e referendumit mund të ngecë që në nisje, nëse shpreson se të ndryshojë Kushtetutën me anë të 50 mijë firmave të qytetarëve.
Ndërkaq neni 177 i Kushtetutës e ka të përcaktuar në mënyrë definitive se Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Dhe në pikën 5 të tij, thuhet se është në të drejtën e Kuvendit për të vendosur nëse ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë me referendum ose jo, kjo kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
Pengesat e tjera të Metës
Por barrierat e nismës së Presidentit nuk janë vetëm kaq, nëse do të ketë një grup nismëtarë, ato duhet të paraqiten te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një kërkesë dhe mbi të gjitha duhet të paraqesin kërkesën e argumentuar se pse e kërkojnë këtë referendum të veçantë dhe në këtë rast, mund të qëllojë që kërkesa mund të jetë ndryshimi i Kushtetutës, apo dhe shpërndarja e Parlamentit. Gjithsesi kërkesa nëse miratohet nga KQZ duhet të kalojë te Gjykata Kushtetuese, e cila jep vlerësimin e saj mbi përmbajtjen e referendumit. Pra nëse ka një shqyrtim të kërkesës në KQZ, atëherë ajo mund të rrëzohet duke pasur në konsideratë se ky institucion dominohet nga anëtarët e zgjedhur me propozimin e Partisë Socialiste.
Por këtu ka një përplasje, pasi neni 1 parashikon që për çështje të veçanta, Gjykata Kushtetuese nuk i shqyrton, e këtu përfshihet rasti edhe kur kërkesa shkon te presidenti apo dhe kur shqyrtohet nga Parlamenti. Pra Kushtetuesja shqyrton tërësinë e nismës, por nuk futet te rëndësia e veçantë. Nëse kjo çështje merret për diskutim nga Kushtetuesja, duhet kohë që të shqyrtohet, pasi e para ky institucion nuk është në një funksion të plotë, duhen të paktën gjashtë anëtare dhe se mbi të gjitha realizimi i referendumeve, nëse miratohet zhvillohet në një periudhë të caktuar dhe me afate.
Nëse në mënyrë hipotetike bie dakord për referendum, ku kalohen të gjitha shkallët atëherë duhet që sipas ligjit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jepet brenda 15 marsit dhe nëse miratohet atëherë brenda 45 ditëve presidenti duhet të nxjerrë një dekret. Në rast se procedurat nuk kryhen brenda 15 marsit të këtij viti, atëherë referendumi shtyhet për vitin e ardhshëm. Por Kushtetuta dhe ligjet nuk lejojnë që të realizohen zgjedhjet 6 muaj para zgjedhjeve. Sipas ligjit, zgjedhjet e ardhshme parlamentare normalisht duhet të mbahen në qershor të 2021, e për këtë referendumi i kërkuar nuk mund të realizohet. (Gazeta SI)