Një ngjarje e tmerrshme është zbuluar në Greqi, ku një 22-vjeçare shqiptare dhunohej barbarisht dhe mbahej mbyllur bashkë me vajzën nga bashkëshorti i saj. Ishin të bërtiturat e të resë dhe e qara e vajzës, që shpëtuan këto të fundit nga tmerri që përjetonin prej më shumë se dy vitesh.
Është vetëm 22 vjeçe, por hallet për të kanë nisur shumë shpejt. Për dy vite duroi dhunën barbare nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka një vajzë që për ironi të fatit është kthyer në “mollën e sherrit” mes dy prindërve të saj.
Ngjarja e rëndë, ka ndodhur në një fshat te Volosit në Greqinë qendrore, ndërsa viktima e dhunës është Dafina Kurti dhe vajza e saj e mitur.
Çdo gjë u mësua pas episodit të fundit të dhunës që ushtroi 28-vjeçari, Aurel Gëzim Kurti.
Fillimisht ishin të bërtiturat e gruas së re e cila kërkonte ndihmë dhe zëri i fëmijës që qante me të madhe, për të kuptuar se sërish dhunuesi kishte nisur ti godiste. Pas kësaj fqinjët goditën portën e banesës derisa e detyruan ta hapë dhe gjetën brenda 22 vjeçaren Dafina Kurti, me shenja në qafe të krijuara prej tentativës për ta mbytur atë.
Sipas policisë greke, menjëherë autori ka tentuar të largohet, por banorët e mbajtën me force deri në mbërritjen e policisë, e cila e arrestoi dhe e dërgoi në drejtorinë e policisë së Volosit, ku edhe viktima tregoi se mbahej e mbyllur në banese prej 2 vitesh.
Sipas mediave greke, të cilave shqiptarja.com u referohet autori e dhunonte shpesh të renë dhe nuk e lejonte të dilte nga shtëpia. Të njëjtën sjellje kishte edhe ndaj vajzës 2.5 vjeç të çiftit te cilin autori e dhunonte herë pas herë, madje nuk lejonte që ai të vizitohej nga mjekët, siç duhet normalisht të ndodhë me fëmijët e vegjël.
Gruaja e re dhe fëmija u dërguan në një banesë sociale dhe u morën në mbrojtje prej autoriteteve, ndërsa ndaj autorit u ngritën akuza të rënda si plagosje e rëndë me dashje, pengmarrje, dhunë në familje, dhunë ndaj të miturve etj, të cilat do ti kushtojnë atij disa vite burg.
Aktualisht i riu është arrestuar, ndërsa nëna dhe vajza e mitur janë pajisur me urdhër mbrojtjeje. Çifti ishte martuar para 4 vitesh dhe që atëherë ishin vendosur në Volos ku 28 vjeçari dhunues punonte në ndërtim, ndërsa viktima mbahej e mbyllur në banesë.
Ndërkohë sipas dëshmisë së fqinjëve të çiftit shqiptarë, thuhet se vajza nuk është parë thuajse kurrë të dilte, dhe në rastet kur e kanë pikasur, ka qenë e veshur nga koka te këmbët.
“Nuk e kemi parë kurrë gruan. E dinim që këtu jetonte një çift shqiptar, por këtë vajzë nuk e kishim parë kurrë. Të gjithë pyesnim se çfarë po ndodhte brenda asaj shtëpie, por nuk mund të bënim asgjë. Nuk e dinim se çfarë po ndodhte”, thotë një grua.
“Ajo ishte e veshur nga koka te këmbët”, thotë një tjetër banorë.
“E kam parë shumë rrallë. Dilte vetëm deri në kopsht. Dy ose tre herë gjatë viteve. Nuk e pashë kurrë jashtë oborrit të shtëpisë duke lëvizur, apo duke bërë pazar. Dhe as që e kisha parë kurrë fëmijën”, rrëfen ai.
Autori do të dërgohet në gjykatë paraditen e së martës.