Një tragjedi e re sapo ka tronditur botën e motoçiklizmit. Ka ndërruar jetë edhe nëna e Victor Steeman. Motoçiklisti holandez humbi jetën këtë javë, pasi nuk arriti të kapërcejë dëmtimet e rënda të marra në garën e parë ‘Supersport 300’ të zhvilluar të shtunën e kaluar. Dhe tani, sipas ‘Racesport.nl’, mësohet se ka vdekur edhe Flora van Limbeek, nëna e pilotit fatkeq.
Steeman, i cili u transferua në spitalin në Faro (Portugali) me një dëmtim në kokë, na la në moshën 22-vjeçare, pasi nuk mundi të përballonte dëmtimet e marra. Kujtojmë se holandezi po luftonte për të fituar titullin. Në fakt, ishte ai që kërcënoi udhëheqjen e spanjollit Álvaro Díaz. Por një fatkeqësi, në kthesën 14 të qarkut të Algarve, përfundoi në një dramë që duket se nuk ka fund.
Tani raportohet se Flora van Limbeek gjithashtu vdiq të enjten mbrëma, si pasojë e arrestit kardiak në shtëpinë e saj në Lathum. Duhet thenë, se nëna e Steeman vdiq dy ditë pas djalit të saj. Ajo ishte 59 vjeç.
Ky është një lajm shumë i hidhur, që vjen në një kohë kur shtrohen pyetjet, nëse kjo kategori e rrezikshme duhet të anulohet. Në Phillip Island, piloti i MotoGP, Maverick Viñales ishte shumë i ashpër me garat në ‘Supersport 300’. Ai përjetoi një tragjedi të ngjashme, kur kushëriri i tij Dean Berta, vdiq në moshën 15-vjeçare, në rrethana të ngjashme me ato të Steeman.
“Gjithmonë kam menduar të njëjtën gjë për ‘Supersport 300’ dhe e kam thënë para se Dean të bënte aksident, mendoj se është një kategori e rrezikshme dhe e padobishme. Nuk mëson asgjë atje”. Edhe pilotë të tjerë si Aleix Espargaró ose Loris Baz e kanë mbështetur këtë kritikë të ashpër ndaj kësaj kategorie.