Sirena angleze për Tomas Strakoshën, portierin e Kombëtares së Shqipërisë dhe të Lacios, që me shpërthimin e tij në këtë sezon, ka rritur edhe më shumë listën e skuadrave që pretendojnë shërbimet e tij duke filluar nga vera e ardhshme.
Pasi qe afër Liverpulit në verë, me të kuqtë që në fund vendosën të merrnin portierin e Romës, Alison, gardiani i formacionit bardhekaltër është sërish i lakmuar përtej La Manshit, por kësaj here në një tjetër klub të madh britanik. Sipas asaj që shkruan “Calciomercato.it”, Strakosha shikohet nga drejtuesit e Totenhemit si pasardhësi i denjë i portierit Hugo Loris.
Gardiani i përfaqësueses së Francës tashmë është 32 vjeç dhe drejtuesit e klubit londinez shohin te portieri shqiptar mundësinë e një investimi të sigurt për të ardhmen. Ndërkohë, Lacio nuk do të bëhej pengesë për transferimin e Strakoshës përballë një oferte të mirë.