Grupi hetimor i përbërë nga 3 prokurorë të k.rimeve të rënda dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore kishte ngritur plot 10 pista pas ngjarjes. Por, ditët në vijim veprimet u fokusuan në 3 apo 4 prej tyre.
“Kanë qenë disa pista atëherë që diskutoheshin, ishi pista e parë konflikti i pronësisë. Një pistë tjetër ka qenë pista morale, dmth, figura morale e tim ati, një pistë tjetër me sa mbaj mend ka qenë goditje për shkak të detyrës, dhe pista politike”, tregon Anduel Xhindi, djali i Fatmir Xhindit.
Në atë kohë, prokurorët morën në shqyrtim nga hipoteka e Fierit dokumentet e pronave të familjes Xhindi. Të gjitha verifikimet e bëra, nuk krijuan baza për të vërtetuar pistën e konfliktit të pronësisë. Deputeti i ndjerë nuk kishte pasur asnjë përplasje të tillë.
“Ne sot kemi vetëm në pronësinë tonë si familje vetëm tokën që është ndarë me ligjin 7501 në ‘91-‘92, kemi shtëpinë në Roskovec dhe shtëpinë në Tiranë me kreditë e buta të qeverisë në ‘99-n”, tregon Anduel Xhindi, djali i Fatmir Xhindit.
Kur kjo pistë u hodh poshtë, në publik u servir pista që lidhej me jetën private të ish-deputetit por, asgjë e dyshimtë nuk u zbulua. Edhe analizimi i tabulateve telefonike të Fatmir Xhindit, nuk e mbështeste një pistë të tillë.
“Fakti që qeveria e asaj periudhe, eksponentë politik të saj, u angazhuan në fushatë të ndyrë shpifjesh për të devijuar qëllimin apo fokusin, targetin e hetimeve është element i shtuar që demonstroi se të gjithë ishin të angazhuar për të fshehur k.rimin, të gjithë në qeveri”, tha Erjon Braçe, zv.kryeministër.
“Shqiptarët kanë një thënie ndoshta jo të këndshme, i v.dekuri ngelet fajtor. Kjo është një thënie që në këtë zhurmë të përbaltjes nuk ka kursyer kërkënd, madje as të v.rarët”, thotë Myslim Murrizi, deputet.
“Gjithmonë një kundërshtar politik, përpiqet forca tjetër ta marrë nëpërkëmbë përmes thashethemeve”, thotë Namik Dokle.
Ngjarja u hetua edhe mbi disa dyshime për konflikte të ndryshme në biznes nga ana e deputetit të ndjerë. Por, verifikimet e hetuesve konkluduan se Xhindi nuk kishte asnjë biznes, qoftë me emrin e tij apo me emra të të afërmve. Edhe ky drejtim i hetimit u venit shumë shpejt.
“Ne nuk dimë, vetëm nëqoftëse ata që i kanë hedhur këto pista mund ti dinë të na tregojnë ku i kemi ne bizneset, aksionet”, tha Anduel Xhindi, djali i Fatmir Xhindit./Top Story