Shqipëria duket se po shkon drejt vitit më të mirë historik të turizmit, sa i përket prurjeve të të huajve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se shpenzimet e të huajve në Shqipëri në 3 muajt e parë të vitit arritën në një nivel prej 624 milionë euro ose rreth 50% më shumë se tremujori i parë i vitit 2022.
Më shumë të ardhura po hyjnë në ekonominë e vendit tonë teksa numri i të huajve nga viti në vit është shtuar ndjeshëm. Shpenzimet e të huajve kanë shënuar nivelin më të lartë për periudhën janar-mars, edhe përpara pandemisë, duke u dyfishuar.
Sipas përfaqësuesve të këtij tregu, të ardhurat janë në rritje për shkak edhe të inflacionit të lartë të çmimeve.
Teksa prurjet e të huajve në vend janë të larta dhe çmimet në vend po rriten vit pas vit, kreu i unionit turistik, Rahman Kasa, thekson se duhet të konsiderohet edhe ajo që turistët marrin pas. Sipas tij, cilësia e shërbimit rrezikohet nga mungesat në krahun e punës.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për udhëtimet e tyre jashtë vendit. Sipas shifrave zyrtare, 1.3 milionë dalje të shtetasve shqiptarë u përkthyen në 435 milionë euro shpenzime, një rritje prej 35% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.