Nga Mero Baze
Objektivi i shpallur për të plotësuar Gjykatën Kushtetuese deri në fund të vitit, është i rrezikuar seriozisht nga dy faktorë. E para, dualiteti mes presidentit dhe Parlamentit, që çoi dhe në krizën e vitit të kaluar, dhe e dyta, sjellja e Gjykatës Administrative të Apelit, si fortesa e fundit e drejtësisë së vjetër në Shqipëri.
Ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ambasadori i BE Soreca, përsëritën sot apelin që Gjykata të plotësohet deri në fund të vitit, por duket se do të duhet më shumë se kaq, që ky objektiv të arrihet.
Janë tre vende të shpallura bosh nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për në këtë gjykatë. Dy vakanca i përkasin pesidentit dhe një Kuvendit.
Problemi i pare, është se për shkak të numrit të kufizuar të kandidatëve, presidenti dhe Kuvendi duhet të bashkëpunojnë për të mos djegur kandidatët e njëri- tjetrit në procein e përzgjedhjes.
Një situatë e tillë ndodhi vitin e kaluar, kur për shkak të interpretimeve të ndryshme, për të njëjtin vend u përzgjodhën dy kandidatë të ndryshëm dhe presidenti pranoi për betim atë që zgjodhi vetë, duke e goditur rëndë procesin.
Sivjet situata nuk duket më mirë nga ana e presidentit, shto dhe paranojat e shtuara të tij, para zgjedhjeve.
Problemi i dytë mbetet Gjykata Administrative, e cila ka dalë nga funksioni i saj si një shkallë gjyqësori që vlerëson a janë zbatuar në rregull procedurat, por përpiqet të diktojë kandidatura për emërim.
Rasti i një kandidateje që Gjykata Administrative ia kthen për herë të dytë KED, me këmbëngulje që ta shikojë për herë të tretë, tejkalon kompetencat e saj si Gjykatë Administrative.
Vlerësimet e KED, nëse një kandidat vlen, janë kompetencë substanciale e KED. Gjykata Administrative mund të shikojë vetëm nëse është respektuar procedura.
Kthimi për herë të dytë i së njëjtës kandidaturë nga kjo gjykatë ne KED, përveçse bllokon punën dhe kohën e KED për të vepruar shpejt me listën, tregon dhe fuqinë që kanë lidhjet personale në sistemin e drejtësisë.
Nga një anë, përdorimi i Gjykatës Administrative si një hallkë që zvarrit procesin dhe nga ana tjetër konflikti politik president- shumicë, janë dy faktorë që mund ta lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese edhe këtë vit. Nëse munden!