Dy eurodeputetë të Parlamentit Europian i kërkuan vendit tonë evakuimin emergjent të një të fëmije nga Gaza vetëm 1 vjeç, i cili kishte nevojë emergjente për trajtim të specializuar. Autoritetet shqiptare iu përgjigjën pozitivisht kërkesës dhe i vogli, bashkë me familjen, babanë, vëllanë dhe motrën, fluturuan me një avion ambulancë direkt nga Gaza për në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës.
Fëmija nga Gaza, vend në situatë lufte prej më shumë se 1 vit e 3 muaj me Izraelin, ka pasur infeksion pulmonar të përsëritur. Për të po kujdeset në QSUT, shefja e pavijonit në pediatri, Mira Kola. Burimet bëjnë me dije se fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të dalë nga spitali në ditët në vijim.
Aktualisht, familja e të miturit është strehuar në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, dhe po i jepet i gjithë trajtimi i mundshëm me punonjës social dhe psikolog. Burimet i thanë Report Tv se në vijim pritet që familja e të voglit të sistemohet në një ambient me qira, për kushte sa më komode, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të vijojnë të qëndrojnë në Tiranë duke kërkuar azil.
Ky evakuim mjekësor, ngjalli kritika në rrjetet sociale, se kur një fëmijë shqiptar ka nevojë për kurim jashtë, shteti nuk reagon, të cilave kryeministri Edi Rama iu përgjigj në rubrikën sy m’sy.
“Ku i keni parë këta fëmijët që i lëmë të vdesim? Se inati po, llumi i foltoreve dhe kanaleve që ju zhyteni po dhe juve ju duket sikur njerëzit vdesin për një aspirinë. Çdo vit kurohen në pediatritë tona 46 mijë fëmijë, 15 mijë fëmijë në QSUT. Çdo vit dërgojmë jashtë vendit 25 fëmijë, pra shumë më tepër se shoqatat e mbledhura bashkë. Ajo familja qe erdhi nga Gaza erdhi me kërkesë të partnerëve tonë ndërkombëtarë e si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik”, tha Rama.
Ndërkohë, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge Jr., teksa ka falënderuar kryeministrin për mikpritjen e familjes nga Gaza dhe të vogëlushit 1-vjeçar, shkruan se Shqipëria duhet të jetë shembull edhe për vendet e tjera.
“Faleminderit që u bashkuat me shtetet e tjera anëtare të OBSH-së në Evropë, përfshirë Francën, Norvegjinë dhe Rumaninë, në mbështetje të pacientëve të sëmurë dhe të plagosur nga Gaza. Besoj se kjo shënon fillimin e shumë evakuimeve jetike drejt Shqipërisë dhe shpresoj që veprimet tuaja të dhembshura të frymëzojnë të tjerët të ndjekin këtë shembull,” shkruan Kluge.
Ishte Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri që njoftoi operacionin e evakuimit humanitor nga Gaza në vendin tonë duke falënderuar qeverinë shqiptare për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Ky është vetëm operacionit i parë dhe nuk dihet nëse në vijim Shqipëria do të presë të tjerë të mitur që kanë nevoja shëndetësore apo familjet e tyre nga Palestina. Familja ka udhëtuar direkt nga Gaza në Tiranë përmes një avioni ambulancë dhe ka mbërritur në Rinas më 15 janar 2025.