Historia e panjohur e hebrejve në Shqipëri në periudhën e Luftës 1939-’44, sipas dokumenteve të arkivave. Si u spiunuan ata nga “vajza durrsake imorale” dhe si u mbrojtën ata nga politikanët e autoritetet zyrtare të larta të asaj kohe, si: Mehdi Frashëri, Qazim Mulleti, Shaqir Preza, Javer Hurshiti, Engjëll Çoba, etj, duke i pajisur me dokumenta false
Nga Dashnor Kaloçi
Data 27 janar ka hyrë tashmë në kalendar si një ditë përkujtimore ndaj genocidit që iu bë hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si e tillë ajo përkujtohet në mjaft vënde të botës në nderim të milionave hebrejve që humbën jetën kampeve naziste të shfarosjes në masë. Dhe një nga ato vënde që duhet të krenohet për mbrojtjen që iu bëri herbrejve, padyshim është dhe Shqipëria, pasi është shumë i njohur fakti se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, pothuaj asnjë nga rreth 1800 hebrejtë që ndodheshin asokohe në Shqipëri, nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese gjermane, ashtu siç ndodhi fatkeqësisht në disa shtete të tjera të Europës Lindore të pushtuara nga nazistët, si në Bashkimin Sovjetik e Poloni, ku rreth 4 milionë hebrej përfunduan furrave të krematoriumeve.
Por, ajo që është më thelbësorja e këtij fakti, hebrejtë që ishin në Shqipëri nuk u morën në mbrojtje vetëm nga familjet e thjeshta shqiptare, që i strehuan ata në shtëpitë e tyre, por ata u morën në mbrojtje edhe nga të gjitha qeveritë shqiptare të asaj kohe, nën pushtimin italian e gjerman. Kështu shumë politikanë të njohur të asaj periudhe, si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Fiqëri Dine, Mihal Zallari, Engjëll Çoba, Javer bej Hurshiti, Qazim Mulleti, Mehmet Gani e të tjerë ministra, antarë të regjencës, deputetë, prefektë, kryetarë bashkish, apo funksionarë të tjerë të lartë të administratës së shtetit shqiptar të asaj kohe, jo vetëm që i morën në mbrojtje hebrejtë, duke i pajisuar ata me dokumente false si shtetas shqiptarë, por ata shpeshherë hynë në konflikte të thella edhe me autoritetet gjermane që kërkonin me çdo kusht arrestimin dhe eliminimin e tyre fizik. Veç të tjerash, për veprimtarinë e hebrejve në Shqipëri gjatë viteve të Luftës (1939-1944) dhe mbrojtjen që iu bë atyre nga qeveritarët e lartë të asaj kohe, flasin më së miri edhe mjaft dokumente që na janë vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, një pjesë prej të cilave ne po i publikojmë në këtë shkrim.
Nënprefekti i Kavajës u jep dokumente false hebrejve
Po cilët ishin disa nga hebrejtë që u strehuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga kishin ardhur ata në vendin tonë, ku ishin shkolluar dhe me çfarë aktiviteti merreshin ata në qytetet kryesore të vendit ku ishin vendosur? Për këtë bëhet fjalë në një dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 15 maj 1944, dhe që është firmosur nga Drejtori i Policisë Qendër, Shaqir Preza dhe Prefekti i Klasit I-rë, i Tiranës, Qazim Mulleti (AQSH F.252 V. 1944 D. 225. fq.57). Ky dokument, në të cilin jepen me hollësira të gjitha të dhënat dhe aktiviteti i disa hebrejve, të cilët janë arrestuar nga komanda gjermane në datën 16 prill të vitit 1944, i drejtohet Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë lidhur me aktivitetin e atyre shtetasve me kombësi hebraike dhe qëndrimet e tyre politike. Në atë dokument midis të tjerash shkruhet:
“Në gjegjie të sipërmes, kemi nderin t’Ju lajmërojmë, se çifutët t’arrestuem më datën 16 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane në bashkëpunim me organet e kësaj Zyre, me datë 30 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane, të shoqnuem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun. Nga hetimet e imta të zhvillueme nga kjo Komiseri, na rezulton si vijon:
1) Çifuti Sallomon Salltiel, i të vdekunve Isak e Matilda, lindun më 1915 në Shkup, banues në Shkup, nështetas i ish-Jugosllavis, ka ardhur në Shqipni në 10 Fruer 1943 tinzisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pashaportë të rregullt ose të ndonjë tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun ka qëndrue dy muaj, por nga autoritetet e vëndit asht diktue dhe kap e internue në Kavajë, ku ka qëndrue deri në kapitullimin e Italisë. Nënprefekti i Kavajës, zoti Mehmet Gani (Qani) më datë 17.12.1943 me Nr. Extra, i ka lëshue një letër idenditeti në emën false, SALI ISA SALTIEL. Ky letër idenditeti e përmban edhe fotografinë e Sallomonit si dhe vulën Zyrtare të N/Prefekturës në fjalë. Përveç kësaj, Bashkija e Tiranës-Zyra e Shëndetësisë, më datën 12.VI.1943, me Nr.2021 i ka lëshue një letër idenditeti, po në emën fallso Sali Isa Saltiel. Këtu në Tiranë, Sallomoni asht marrë me tregtina të vogla.
Përveç kësaj asht marrë edhe me shitjen e monedhave italiane (Lireta), të cilat të holla ja dërgonte një farë Dervish Jahi, tregtar nga Shkodra me anën e një shoferi nga Shkodra që quhet Qamil Gali, me shërbim pranë shoqërisë automobilistike transportesh “Çurçija” në Shkodër. Bankënotat në monedha Italiane, Dervish Jahi i paska ble prej njërzve të ardhun nga Mali i Zi dhe sipas marrëveshjes që paska me Sallomon Sallitelin, këto të holla me shoferin e naltëpërmëndun ja dërgonte në Tiranë. Sallomoni këto monedha Italiane ia shiste Italianëve, të cilët po ktheheshin në Itali. Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonjë gja, megjithse Sallomoni asht i dyshimtë”. Pas të dhënave për Sallomon Saltiellin, i cili është ndihmuar nga n/prefekti i Kavajës dhe Bashkia e Tiranës, duke u pajisur me dokumente false prej tyre, po në atë dokument jepen edhe të dhënat e disa hebrejve të tjerë, si Samiko Salltiell, Jakov Gatenjo, Haim Matallon, Matilda Matallon dhe Ester Matallon, të cilët, siç bëhet e ditur aty, janë arrestuar nga policia gjermane dhe janë dërguan në drejtim të paditur prej tyre.
Vajza durrsake K. S. spiunoi hebrejtë
Po në ç’rrethana u arrestuan hebrejtë për të cilët bën fjalë dokumenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 12 maj 1944 dhe kush i spiunoi ata tek gjermanët? Lidhur me këtë, po në atë dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, midis të tjerash shkruhet:
“Arrestimi i të naltpërmendunve ka ndodhë në këtë mënyrë: Një vajzë e qyejtuna K.S. (në dokument jepet emri dhe mbiemri i plotë i saj. Shënimi ynë) nga Durrësi, tash banuese në Tiranë, më datën 15 të Prillit, u paraqit në këtë Zyrë tue thanë se çifutët e nalt-përmëndun, zhvillojnë veprimtari spiunazhi, se ata kanë shumë të holla në monedha të hueja, stërlinga e dokumenta kompromentuese. Kejo Zyrë, thanjet e kësaj vajze i muarr parasysh edhe disponoj, që me datën 16, d.m.th. me nesermen, nga organet e kësaj Zyre të bahet një kontroll i imtë në banesën e tyne edhe ne rast pozitiv të veprohet n’arrestimin e tyne. Kur organet e kësaj Zyre, vajtën në banesën e çifutëve të përmëndun, aty gjetën Policinë Gjermane të Komandës SS në veprim e sipër.
Me ardhjen e Policisë Shqiptare, Policija Gjermane jo vetëm që nuk kundërshtoj veprimin e Policisë Shqyptare, por përkundrazi i asht lutë që në bashkëpunim t’i vazhdojë veprimet. Organet e kësaj Zyre, me qenë se Policija Gjermane veprimet ma parë i kishte fillue edhe çifutët e nalt-përmendun nga Gjermanët, ishin ndalue edhe grumbullue në një qoshe t’oborrit, pranuen bashkëpunimin e propozuem edhe veprimet e mandejshme bashkarisht u zhvilluen. Në kontrollin e bamun, përveçse letrave në gjuhën Malazeze me karakter tregtare, ndonjë gja tjetër nuk u gjetë. Ne përkuizimin personal të Sallomon Salltiel-it u gjet një shumë të hollash si vijon: gjithsej 10.300 franga shqiptare e 11.000 lireta italiane. Për këto të holla dha spjegime Sallomoni se janë të Dervish Jahit, tregtar nga Shkodra…
Të hollat në fjalë u sekuestruen nga Policija Gjermane, mbasi veprimi ishte fillue nga ata. Nga hetimet e ma-pastajshme, rezulltoj se, vajza K.S. përveç lajmimit që kishte ba në këtë Zyrë, njikohesisht kishte lajmue edhe komandën e Policisë Gjermane SS, Komandën e Regjimentit të Gjindarëmrisë “Kosova” dhe Komandën e Rrethit të Mbrendëshme të Gjindarmerisë, edhe kështu vajza në fjalë ka shkaktue një konfuzion. K.S. këtë gjë e ka ba me qëllim, që të shpresonte në shpëtimin e dashnorit të saj komunist J. K. (në dokument jepet emri dhe mbiemri i plotë i tij. Shënimi ynë), i cili nga organet e kësaj Zyre, më datën 14 Prill të k.v. ishte arrestue si pjesmarrës në vrasjen e nji Nënoficeri e nji Agjenti të Policisë. Edhe vajza në fjalë asht me ndjenja komuniste dhe imorale, por tash për tash nuk asht konstatue nëse zhvillon ndonjë aktivitet komunist. Sa sipri Ju parashtruem për njoftim e në gjegje të sipërmes”.
Drejtori i Policisë së Qëndrës (Shaqir Preza.d.v.).
Pra, siç shihet edhe nga dokumenti i cituar më lart, shkas për arrestimin e gjashtë shtetasve me kombësi hebraike është bërë një vazjë e re komuniste nga qyteti i Durrësit, e cila i ka spiunuar ata në Komandën Gjermane, duke shpresuar se ata do t’i lironin të dashurin e saj komunist, që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një atentat kundër një agjenti të policisë.
Urdhëri i Qazim Mulletit: Lironi hebrejtë
Po cili ishte fati i mëtejshëm i hebrejve që u arrestuan nga gjermanët, pasi ata ishin spiunuar nga një vajzë e re me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe banuese në Tiranë? Për këtë gjë në dokumentet që disponojmë nuk bëhet e ditur, por aty flitet për dy shtetas të tjerë me origjinë hebraike, të cilët janë liruar nga burgu me vendimin e një komisioni të posaçëm të kryesuar prej Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në atë dokument arkivor, që mban datën 9.6.1944, shkruhet:
“Shteti Shqiptar, Prefektura e Tiranës. Zyrës së Burgut e për njoftim: Komandës Qarkut Gjind. Komiseris Policis Tiranë. Ju njoftohet se komisioni i posaçëm i mbledhun pardje me 7 të k.m. nën Kryesinë e Titullarit të kësaj Prefekture, vendosi qi të reshtuemit Sallomon Tashi e Mina Roshi nga Durrësi, të lirohen me garanci, mbasi nuk kishin fakte për t’i u referue Gjyqit dhe me qënë se bani konviksion se nuk janë persona të rrezikshëm që lenia e tyre e lirë të damtojnë qetësinë publike. Lutemi prandaj që mbassi të sigurojën si garantë ndojë person të ndershëm të njoftun me sjellje të mira morale dhe politike, të shoqnohen në këtë Prefekturë, ku mbasi të redaktohet akti i garancisë, do të lehen të lirë.
Prefekti i Klasit të I-rë Qazim Mulleti d.v.”
Ministri Çoba: lironi hebrejtë
Në dokumentet e tjera arkivore, ku bëhet fjalë për veprimtarinë e hebrejve gjatë periudhës së Luftës (1939-1944) në Shqipëri, ndodhet edhe një korrespodencë ndërmjet Prefektit të Shkodrës, Javer Hurshiti, dhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Engjëll Çoba. Në ato dokumente flitet për arrestimin e katër hebrejve në qytetin e Shkodrës, nga ana e gjermanëve, dhe ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare për lirimin e tyre. Kështu, në datën 2 maj 1944 (ora 11.55) Prefekti i Shkodrës, Javer Hurshti, me anë të një telegrami njofton Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, duke i shkruar:
“Informohemi se Komanda H.S. Hausding ka arrestue katër ebrej prej Prishtine dhe me qëndrim në këtë qytet. Thuhet se këtynë u janë kërkue njëmijë napolona ar për lirim”. Pas marrjes së këtij telegrami, ministri i Punëve të Brendshme, Engjëll Çoba, i ka bërë një telegram Prefekturës së Shkodrës, ku kërkon të dijë se shumën e napolonave të arit e ka marrë Prefektura e Shkodrës apo komanda gjermane.
Dhe pasi njoftohet nga Prefekti Hurshiti se ajo shumë është marrë nga komanda gjermane, ministri Çoba ka lajmëruar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të kontaktuar me Komandën e Përgjithshme Gjermane në Shqipëri. Në njoftimin e ministrit Çoba drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pasi jepet fjalë për fjalë njoftimi i Prefektit Hurshiti për arrestimin e katër hebrejve dhe shuma që u është kërkuar për t’i liruar nga burgu, më tej shkruhet: “Prandaj lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet qi autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë në punët e mbrendëshme t’onat, vetëm ndër raste qi kanë të bëjnë drejt për së drejti me ushtrinë Gjermane”.
Pas këtij njoftimi të ministrit Çoba, duket se Ministria e Jashtme në Tiranë ka reaguar menjëherë pranë Komandës së Përgjithshme të Gjermanëve po në Tiranë, gjë e cila bëri që katër hebrejtë e arrestuar të liheshin të lirë. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga telegrami i Prefektit Hurshiti, i cili, më 4 maj 1944, njofton Ministrinë e Brendshme, duke i thënë se Komanda Gjermane në Shkodër i la të lirë katër hebrejtë, mbasi ata paguan gjobën prej 60 000 franga shqiptare. Por edhe pas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme duket se nuk është e kënaqur me faktin që hebrejtë janë liruar, pasi kanë paguar para, dhe me anë të një telegrami tjetër, që mban datën 6 maj 1944, ajo ka reaguar përsëri pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në atë telegram shkruhet: “Kemi nderin me Ju informue se Prefektura e Shkodrës me telin shifër Nr. 191/2 res. d.5 vazhduesit na raporton se, Komanda Gjermane e atjeshme S.D. Hausding. Më datën 2 të k,m. ka arrestue 4 Ebrej prej Prishtine e me qindrim në Shkodër. Më datën 4 të k.m. mbassi u ka marrë një shumë prej gjashtëdhetmijë (60000) fr.shq. i ka lanë të lirë. Prandaj sa sipri lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet qi Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë ndër punët e mbrendshme t’ona, vetëm ndër raste qi kan të bajnë drejtë për së drejti me ushtrin gjermane”.