Ish-drejtuesi i komunës Karinë në zonën e Peqinit, është duke u verifikuar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasi emri i tij ka dalë në dëshmitë që ka dhënë i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, sipas Oranews.
Sipas dëshmive që ka dhënë për hetuesit serial-killeri, ka të dhëna domethënëse se shtëpia e ish zyrtarit, ka shërbyer si bazë për fshehjen e makinave të vjedhura, që përdoreshin për vrasje nga grupi kriminal i Nuredin Dumanit.
Në skenë ka dalë me rrëfimet e Dumanit, edhe vëllai i ish-kryetarit të Komunës Karinë.
Sipas të penduarit të drejtësisë, i vëllai i ish zyrtarit, raporton Oranews, në vrasjen e marsit 2020 të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ka ndihmuar njërin nga dy autorët, Eljo Bitrin, të largohet pasi ky i fundit braktisi makinën e krimit, në “Bishti i Zhurit” Rrogozhinë.
Mësohet se ish-kryetari i Komunës dhe vëllai i tij, përmenden në dy momente nga Nuredin Dumani. Atë të vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.
Dumani mësohet tu ketë treguar prokurorëve se makinën e vjedhur që përdorën në vrasjen e Emiljano Ramazanit, fillimisht e kanë fshehur në garazhin e një vile tre katëshe, në fshatin Karinë të Peqinit.
Ndërsa pohon se automjeti “Passat”, ka qëndruar 3 ditë në këtë garazh dhe më pas, është çuar drejt zonës së Metalurgjikut, në magazinat e Arben Lazes, në Elbasan
“…drejtues në mjetin “Passat” ka qënë Eljo Bitri dhe e kemi çuar në fshatin Karinë. Makinën e kemi futur garazhin e një vilë 3 katëshe, e cila ishte e një shtetasi me mbiemrin Juba, që me sa di ka qënë kryetar Komune. Pas rreth 3 ditësh qëndrim në këtë garazh, më ka telefonuar Eljo Bitri, duke më thënë që të merrja makinën “Passat” dhe të çoja tek magazina e shtetasit Arben Laze në Metalurgjik, Fushë-Mbret…”-mësohet të ketë deklaruar Dumani.