Gjatë fjalës së tij nga “Sheshi i Flamurit” ku po zhvillohet ceremonia e organizuar me rastin e 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, kryeministri Rama tha se duhet t’u jemi dy herë borxhlinj vlonjatëve, referuar edhe shpalljes së Pavarësisë.
Ndërkohë, Rama nuk i ka kursyer edhe batutat me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndërsa tha: “Gramoz mos mu mërzit se nuk e përjashton ndjenjën borxhli ndaj Tepelenës që e ka ndihmuar gjithnjë Vlorën”.
“Kanë analogjinë e të pamundurës, që është në ADN e gjakut të vlonjatëve. Një popull i çuditshëm me një aftës të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar diçka të pamundur. Lufta e Vlorës është një nga më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj.
E fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur. Festa vazhdoi me ditë me mardhë, marshe patriotike. Benito Musolini i kushtoi nj shkrim me tërbim kësaj ngjarje, dy vite para se ai të merrte pushtetin. Realizuan diçka të një magnitude që askush nuk e kuptoi qartë.
Lufta e Vlorës tregon për herë të parë që shteti Shqiptar ekziston dhe ka forcën të ushtrojë të drejta të barabarta në raport me çdo entitet tjetër sovran.
Lufta e Vlorës gjendet një nga ato momente formuese të organizmit të Shtetit Shqiptar, ndaj na bën që vlonjatëve t’i jemi borxhlinj jo vetëm për shpalljen e Pavarësisë, por edhe për luftën e Vlorës.
Sot në këtë përvjetor jubilar është momenti për të kujtuar jo thjeshtë heroizmin e kësaj ngjarje në vetvete, por edhe peshën e kësaj ngjarje, jo thjeshtë si akt kundërshtie ndaj një force të huaj në territorin sovran, por edhe si një fakt këmbëngulje për themelimin e shteti”, tha Rama.