Kryeministri Edi Rama nga Tropoja ka komentuar fushatën elektorale të Partisë Demokratike. Këtë herë Rama nuk i ka ndalur akuzat për personat që e presin liderin e opozitës, Lulzim Basha, me makina.
Kreu i qeverisë deklaroi se brenda atyre makinave janë menaxherët e basteve dhe drejtori i tyre, ish-zyrtarë të doganave dhe ish-shefa policie të cilët i cilësoi si të stërkurroptuar.
Rama u shpreh se nëse vjen PD-ja në pushtet do të rihapen bastet.
“Erdhën këtu në Tropojë, a ju ka bërë përshtypje ato makinat sa të shtrenjta janë? Venë kujën për çmimin e naftës, por shih çfarë po i bëjnë naftës? Ja u them unë kush janë brenda atyre makinave, janë ata që u janë turrur për të përsëritur të njëjtën gjë, brenda atyre makinave, janë ata që menaxhonin bastet.
Që nga drejtori edhe një grup tjetër që janë bashkë me ata të basteve që duan me çdo kusht të rrëzojnë qeverinë dhe të hapin ato pikat në çdo qytet e katund. Të jap 1 më jep 2. Çdo fëmijë në ato makina, janë ata që i bënë doganat e tatimet përshesh, i duan prapë. Aty janë ata shefa policie të stërkorruptuar, që i linin tek udhëkryqi me fara kungulli e luledielli policët. Ata janë aty brenda. Doni ti nxirrni nga makinat e t’i fusni në shtet?”- tha Rama.