Katër të rinjtë shqiptarë mes të cilëve dhe një vajzë, janë arrestuar me akuzën se drejtonin një rrjet prostitucioni në Itali në zonën e Astit. Nuk bëhen të ditur emrat e tyre por vetëm inicialet.
Në pranga janë vënë tre burra, G.E., K.F. e S.E. mes 29 e 33 vjeç, si dhe J.A., e cila punonte edhe si prostitutë. Të katërt akuzohen për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni. Më konkretisht, akuzohen se kanë shfrytëzuar si prostituta dhjetëra të reja në Asti: përgjatë sheshit “Savona” dhe atij “Alessandria”.
Hetimet që çuan në operacionin e koduar policor “New generation” (Gjenerata e re) nisën që prej vitit 2016, pasi disa vajza që punonin si prostituta u kërcënuan me vdekje nga një grup rival.
“Janë edhe gjashtë persona të tjerë në kërkim, të dyshuar si të përfshire në këtë grup”, shpjegoi Loris Petrillo, drejtues i policisë së Astit. Hetimet kanë zbuluar se çdo vajzë arrinte të fitonte deri në 600 Euro në natë, duke punuar nga e hëna në të enjte.