Dritan Gradica është identiteti i një prej dy shqiptarëve te arrestuar në Spanjë si pjesë e grupit prej 5 personash që trafikoi 1 ton kokainë kolumbiane.
Sipas mediave spanjolle, trafikanti shqiptar, është një person me përgatitje ushtarake.
News24 bëri kërkime pranë institucioneve shqiptare për të mësuar më tepër rreth personit të quajtur Dritan Gradica.
Nga të dhënat e gjendjes civile rezulton se me këtë emër ekziston vetëm një person i regjistruar. Ai quhet Dritan Shaqir Gradica, i datëlindjes 5 korrik 1975, lindur në Vlahej, Has dhe banues në Tiranë.
Është pikërisht personi që shihni në këtë foto. Ky person rezulton të ketë kryer shumë udhëtime jashtë vendit duke zgjedhur aeroportin e Vjenës, si tranzit, për të shkuar më pas në destinacionin final.
Herën e fundit ai ka hyrë në Shqipëri, me 18 janar 2018, ora 16:06 minuta nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë.
Gradica ka zgjedhur të dalë nga territori i vendit po nga Kakavija, më 26 janar 2018, por çuditërisht, pa mjet transporti. Ai e ka kaluar kufirin më këmbë.
Sipas të dhënave të siguruara, Dritan Gradica, rezulton të jetë djali i ish-gjykatësit të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, tashmë në pension.
I kontaktuar në linjë telefonike babai i Dritan Gradicës pranon se gjeneralitetet përkojnë me ato të djalit të tij, por mohon që personi i arrestuar në Spanjë të jetë i biri, për të cilin tha se prej vitesh jeton e punon në Londër.
Ai shpjegon se rreth viteve 2000 të birit i ka humbur pasaporta dhe me gjasë, mund t’i jetë vjedhur identiteti.
Nëse është i njëjti person, apo vërtetë Dritan Gradicës i është vjedhur identiteti, kjo çështje mbetet për t’u sqaruar nga autoritetet, të cilat nuk dhanë asnjë shpjegim për këtë çështje, pavarësisht se News 24 e “BalkanWeb” kontaktoi disa drejtues kryesorë të policisë në vend.
Shqiptarët e identifikuar si Dritan Gradica dhe Julian Deblini, u vunë në pranga tri ditë më parë në Madrid, në hollin e një hoteli, vetëm pak pasi autoritetet e policisë sekuestruan një sasi rekord prej 1 ton kokainë dhe një valixhe me 1.55 milionë euro.
Droga, e cila, mendohet të jetë blerë tek “Klan Del Golfo” në Kolumbi, ishte transportuar drejt Madridit me Charter dhe në secilën prej pakove kishte të vulosur siglën CR7, me të cilën identifikohet ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo.
Mediat spanjolle shkruajnë se hetimet rreth grupit kriminal nisën në nëntor të vitit të kaluar ndërsa operacioni u ndërmor nga Drejtoria e Seksionit kundër Narkotikëve të Kolumbisë, DEA amerikane në koordinim me Europol.