Gjatë luftës së Kosovës, Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit. Ai iu bashkua luftës me të atin, Dilaver Goxhaj që njihej në luftë si komandant Golemi dhe ishte zëvendës.shef i Shtabit të UÇK-së.
Të dy shkuan vullnetarisht në luftë, por pas 24 vitesh Dritani është arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale.
Para tij kanë përfunduar në pranga politikanë të lartë të Kosovës, mes tyre komandantët e luftës, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët vijojnë ende të jenë në qeli-
Gjykata Speciale njoftoi se Goxhaj akuzohet se ka frikësuar dhe penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
“DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare” thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Avokati i tij tha se akuza me të cilën përballet Goxhaj është ajo e frikësimit të dëshmitarëve të fshehtë, që në procesin që po zhvillohet në Hagë mbahen të fshehtë, me iniciale.
“Konstatoj duar të zgjatura të Serbisë për t’i çuar luftëtarët e UÇK në gijotinë. Më tej do të shikojmë kërkesat për ekstradim”, ka thënë avokati pas arrestimit të policisë së Tiranës.
Në fakt, Goxhaj nuk ka pasur komplekse t’i përmendë emrat e dëshmitarëve të fshehtë. Pak kohë më parë, gjatë një interviste në Euronews, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Gjatë emisionit të datës 3 Prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.
“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar.
Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi,” – u shpreh Goxhaj.
Shkrimi dhe autori i denoncuar nga Goxhaj
Po ashtu, në një shkrim me titullin “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve që mbahen të fshehtë nga Gjykata Speciale.
Mes tyre ai ka përmendur edhe Nazlie Balën, e cila njëkohësisht është këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Goxhaj në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, i cili është publikuar në disa media të Kosovës ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-s, Salih Mustafa.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress,.
“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, vazhdon ai.
Këto emra që ka nxjerrë në publik Goxhaj, kanë sjellë reagimin e prokurorëve të Gjykatës Speciale.