Herën e parë qe e pashë këtë grua, rashë brenda syve të saj, gjithë gjak e shpirt, të trishtë, të ngopur, të gjallë, me një lloj sinqeriteti… që ti rrezikoje mos ta harroje kurrë. Ata sy shqiponje, as nuk më vunë re kur hyri e kur u prezantua me ne. Ishim studentët e fundit në lëndën e “Fjalës Artistike”, për të cilët ajo u kujdes aq shumë të rrinte buzëve bukur, siç i ka hije një femre të vërtetë. Nejse, nuk me pa…as më përzgjodhi, por do e rregulloja. Do ia gjeja një anë. Sepse fati është i çuditshëm. Nuk e doja pedagogun që do më jepte “Fjalën”. As ai mua! Dhe rreptësia e tij më takon korridoreve të Akademisë me Dritën, rastësisht. Një e përplasur dere e imja i bëri sytë e saj të ishin nga unë. E dija që do i hyja në zemër!
– E vogla Agolli, je trime? Apo e ndjeshme?- më tha.
– Unë nuk kthehem më në atë studio,-i them pa e parë në sy.
– Pse?-vazhdoi.
– Ka cehre ushtaraku, por unë kokën dhe urdhërat nuk i dua. Kështu që në luftë nuk iki.
– Sepse ti e dije, apo jo, që do vije në shtëpinë time dhe unë do të isha aty,-më tha dhe, kuptohet, ashtu me nervin e jugut, i lëshoi ca fjalë atyre aty dhe me më mori e më rrefeu një jetë prej librash. Filmi!
Ishte viti 1946, kur u njoh me Radio Tiranën. E sapo hyn viti 1947, papritur i japin dramën e parë, vetëm kaq. Do të luante piktoren e quajtur Ira, tek “Portreti” i Alfino Genov. Dhe kështu edhe dy vitet 1948-1949, kur do e gjenin karshi Prokop Mimës dhe Mihal Popit.
– Isha pak më e madhe se ty-foli me atë qetësinë që ty të vinte si tingull në vesh-karshi këtyre emrave që të përmenda.-Që nga fillimi deri në fund, rolet e mia kanë qenë role prej dashnoreje dhe role grash me një botë të madhe të brendshme. E njeh Mopasanin?
– Jo- i thashë.
– E po, përgatitu. Ky burrë meriton vëmendje dhe ti do japësh herë si konteshëm, herë si dukeshë. E, në fakt i bëra të dyja. Ishte dhe hera fundit, në fakt, që interpretova, por atë proces nuk do e harroj. Drita të ftonte në romancë. A do e bëje ti këtë grua ndonjëherë?
Më pas, në 1952, e gjeje tek Estrada e Shtetit, deri sa në 1955 do të qeshte në komedinë “Shërbëtori i dy zotnive” , në krah te aktorit Gjon Karma. Dhe ja ku vjen viti 1957, kur ajo e donte aq shumë Shilerin me “Intrigë dhe dashuri” dhe, sigurisht, më shumë Naim Frashërin, që sa herë fliste, ato rrudhat përreth syve i zhdukeshin sepse, ka gjithmonë një sepse, në skenë sidomos.
– Sa herë kisha premierë, e vogla ime, të gjithë e dinë… ai vendoste një buqetë me lule në kabinën time. Nuk i harroj ato netë që më ndiqte dhe shtratit: ” Luiza… mos më harro, të mos të të harroj”.
1957-1958 vite të arta. Karshi Kadri Roshit, Lazër Filipit, Margarita Xhepës, Kujtim Spahivoglit. Dhe një tjetër kulm i saj ishte Gertruda, që mund të arrinte majën vetëm me Naimin. Dhe Naimi qe sërish, por Hamlet këtë herë. Ama, më 1960 u trishtua shumë, sepse nuk e regjistruan kurrë. “Votra e huaj”, me kolosin Ndrekë Luca.
Por do të ishte shtëpia e Bernarda Albës dhe Zonja e Bujtinës që do ia largonin sado pakëz trishtimin. Shumë role, deri në kryerolin e Budes, në dramën Lulet e Shegës. Një pafundësi shfaqjes, derisa godet sërish në rolin e nënës tek drama “Mbretëresha e bukur”, me aktoren Yllka Mujo. “Profesioni më i vjetër”…
-Eh, e vogla ime…u bë natë. Do të të tregoj nesër.
Dhe e puthja shumë pasi ikja. Edhe ti. Njësoj! Të gjithë njësoj e puthnim, e donim. Sepse ajo të shëtiste asaj jetës së ëmbël, me aq poezi, me pak trishtim, por ëndërr, drejt “La vie en rose” që e duam. Na mungon çdo 7-8 mars ne të vegjëlve të tu, profesoreshë e rrallë dhe grua e mençur./Nga Ilnisa Agolli