Gjykata e Tiranës ka caktuar të martën më 10 dhjetor në orën 13:00, si ditën kur prokuroria jep pretencën për çështjen Xhafaj-Babale, ku të akuzuar janë dhe ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi të cilët sajuan një skenar për të goditur ish ministrin e Brendshëm.
Akuza e prokurorisë për kallëzim të rremë në bashkëpunim parashikon burgim deri në 5 vjet burg për Ervin Salianjin i akuzuar si organizator se bashku me gazetarin Jetmir Olldashi dhe te pandehurit Veliu dhe Alizoti.
Pas tërheqjes së Fredi Alizotit, një nga të implikuarit në këtë çështje i cili pranoi të bëjë zërin e Agron Xhafajt, vëllait të ish- ministrit, edhe gazetari Jetmir Olldashi bëri hapa pas, duke ngarkuar me përgjegjësi ish- deputetin Salianji, i cili është akuzuar për inskenimin e kësaj ngjarje.
Ndërkohë, dëshmitari Alizoti ka akuzuar ish- ligjvënësi ku ka pranuar stisjen kundrejt një shpërblimi prej 200 mijë eurosh të premtuar nga Salianji.
Seancat gjyqësore kanë provuar mashtrimin publik të ndërtuar në mjediset e “selisë blu” përmes regjistreve të rreme kundrejt premtimit të një pagese prej 200.000 euro, me qëllimin e vetëm për të goditur figurën e kundershtarit politik, ish-ministrit të Brendshëm dhe drejtuesit të reformës në drejtësi.