Korrupsioni në drejtësi duket se nuk ka kursyer askënd. Vetingu po e dëshmon nga dita në ditë se ky sistem ka qenë i mbërthyer nga korrupsioni dhe janë të paktë ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë përlyer.
Ajo që bie në sy është se korrupsioni ka prekur pothuajse të gjithë krerët e gjykatave dhe të prokurorive në vend. Sipas të dhënave të siguruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, janë 38 krerë gjykatash dhe prokurorish, të cilët kanë ngelur në veting kryesisht për probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Ndërkohë, 6 të tjerë janë dorëhequr ose janë konfirmuar në detyrë dhe janë dërguar për procedim disiplinor.
Nga gjithë drejtuesit e drejtësisë, vetëm 4-5 emra kanë dalë të pastër në veting, pasi pjesa tjetër janë shkarkuar. Disa prej tyre janë në proces gjykimi në Kolegjin e Apelimit dhe ndoshta mund të ketë ndryshim vendimi, por bazuar në vendimet e KPK kemi 38 emra që sot janë jashtë sistemit, ndërsa deri dje drejtonin gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Treguesi më i qartë i nivelit të korrupsionit është se kanë rënë krerët e dy gjykatave kryesore në vend, të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Xhezair Zaganjori rezulton si ndër gjyqtarët me pasurinë më të madhe në sistemin e drejtësisë. Në KPK ai arriti të konfirmohej edhe pse dukej qartë se kishte probleme të shumta me justifikimin e pasurisë. Por në Kolegjin e Apelimit nuk mundi të bënte dot asgjë, duke u shkarkuar. Pasuria e tij kalonte mbi 1 milion euro. E njëjta gjë ndodhi dhe me kolegun tij në Gjykatën Kushtetuese. Bashkim Dedja kaloi shkallën e parë dhe te të gjithë do mbahet mend shprehja: “kalova varrin për së gjalli”.
Mirëpo ndërkombëtarët dhe Komisioneri Publik nuk u bind prej tij dhe në KPA arritën ta largojnë nga detyra. Pastaj nëse i marrim për nga rëndësia, kreu i Apelit Civil në Tiranë u shkarkua nga detyra, kreu i Apelit Civil në Durrës gjithashtu. Bashkë me ta janë shkarkuar dhe kolegët e Shkodrës, Korçës, Vlorës, etj. Një tjetër element është se janë shkarkuar si kreu i Gjykatës së Apelit të ish-Krimeve të Rënda ashtu dhe kryetari i Prokurorisë së Apelit të ish-Krimeve të Rënda.
Nëse shkojmë te Shkallët e Para, pjesa dërrmuese e krerëve janë shkarkuar. Ajo që bie në sy është se të gjithë kanë pasuri marramendëse. Ish-krerët e drejtësisë kanë vila, apartamente, prona dhe shumë llogari bankare. Ndërkohë disa kanë pasur edhe probleme me krimin, sidomos sa u takon kryesisht familjarëve të tyre, por ky numër është i pakët. Ndërkohë sa u takon aftësive 38 emra kanë dalë të pastër, ndërsa 3 janë dërguar për inspektim pasi ka dyshime se kanë abuzuar me vendimet e procedurat.
Të dorëhequrit
Në sistemin e drejtësisë janë të shumtë ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë nisur të dorëhiqen. I pari që e futi këtë shembull ishte Adriatik Llalla, ish-kryetar i Prokurorisë së Përgjithshme. Pasi mbylli mandatin si Kryeprokuror, ligji i jepte të drejtë Llallës që të shkonte gjyqtar në një Gjykatë Apeli. Ai e refuzoi një post të tillë dhe për këtë arsye iu drejtua me një shkresë presidentit ku informonte se do të tërhiqej nga jeta aktive në sistemin e drejtësisë.
Presidenti njoftoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe ky i fundit vendosi precedentin e ndërprerjes së vetingut pas dorëheqjes. Çështja vajti edhe në Kolegjin e Apelimit i cili nuk e ndryshoi vendimin, duke lënë Llallën jashtë sistemit për 15 vite. Sot ai është në gjykatë pasi akuzohet për fshehje pasurie. Por rrugën e tij e kanë ndjekur dhe dy kolegë të tij, një ish-drejtues i Prokurorisë në Elbasan dhe një ish-drejtues i Gjykatës së Durrësit./Kliti Topalli