Nga 2016 Enti Rregullator i Energjisë tarifën e shitjes së energjisë për klientët fundorë e ka mbajtur në 9.5 lekë kW/H, por kriza e re e energjisë mund të detyrojë institucionin ta rregullojë atë.
Në Itali dhe Greqi çmimi i energjisë elektrike është rritur përkatësisht me nga 40 dhe 50%, reflektuar kjo nga çmimet e larta në bursë.
Në Shqipëri, OSHEE dhe KESH nga muaji gusht deri në shtator kanë blerë energji me çmime rekord që kapën vlerën edhe të 195 eurove MW/H.
KLSH në raportin e saj për zbatimin e Buxhetit në 2019-ën ka theksuar se nga viti në vit borxhi i kompanive publike të energjisë rritet ndaj shtetit dhe ka kapur vlerën e 34 mln lekëve, me KESH e cila ka barrën më të madhe.
Ndërkohë OSHEE dhe nën/kompania e re e saj Furnizuesi i Tregut të Lirë përgjegjëse për shitjen dhe blerjen e energjisë kanë dalë me humbje edhe në vitin 2020 sipas të dhënave nga Tatimet.
Eksperti Lorenc Gordani sugjeron se ERE në këto kushte do të jetë i detyruar të rrisë çmimin e energjisë:
“Është një zhvillim i cili nga pikëpamja ekonomike ndikon në bilancin e këtyre kompanive, të cilat normalisht nuk mund të operojnë në kohë të gjatë duke përfituar nga ndihma shtetërore, duke operuar me bilance negative, duke mos bërë investime.
Kështu që normalisht duhet të bëhet një mirëmendim i asaj që mungon prej një kohe të gjatë, që ka të bëjë me një reformë tarifore, me një përcaktim më të mirë të detyrimeve për secilin konsumator, në mënyrë që secili të paguajë në mënyrë të drejtë atë që konsumon”, shprehet ai.
Kriza e re energjetike që ka prekur çmimin e lëndëve të para nëpër Europë mund të sjellë një tronditje të këtij sektori në Shqipëri, që prej vitesh nuk po arrin të diversifikojë burimet e saj dhe nuk ka kryer investimet e mjaftueshme në rrjetet e transmetimit.(TCH)