Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se janë në një linjë sa i takon reformës zgjedhore. Dje Këshilli Politik rezultoi pa konsensus, por për sa kohë që palët qëndrojnë të ndara, atëherë më shumë shtohen shanset që të shkojmë në zgjedhje me variantin e PS.
Socialistët kanë propozuar heqjen e koalicioneve dhe një formulë ndarjesh mandatesh ku sërish kryetari ka dorë në emrat që do të futen në Parlament. Opozita kërkon të mos hiqen koalicionet, mirëpo pa një dokument. PS kërkon që PD dhe LSI të shkojnë me një draft të tyrin dhe më pas të bisedohet.
Opozita nuk pranon të shkojë me draft. Por duket se kjo strategji, është një goditje e PD për LSI. Mazhoranca ka vënë 30 shtatorin si afat për ndryshimet në kod dhe për sa kohë nuk ka një draft të ri, atëherë do miratohet varianti i socialistëve. Në realitet PD del e fituar me këtë draft dhe ajo që humbet është LSI. Padyshim që heqja e koalicioneve favorizon dy partitë e mëdha.
Skema e 2017 është një dëshmi e qartë. LSI u la jashtë dhe u rrudh në 19 mandate, pasi nëse do kishte hyrë me koalicione, atëherë do merrte shumë më shumë deputetë. Elementi tjetër është se PS me draftin e saj pretendon hapje listash 100 për qind, por që sërish gjithçka është në dorë të kryetarit të partisë. Ligji parashikon që ata që janë poshtë vijës së kuqe nëse marrin më shumë vota mund ta bëhen deputetë, por këtu qëndron hilja. Çdo parti e di se sa deputetë mund të marrë në një qark.
Nëse marrim Tiranën, PS ka 18 mandate aktualisht. Në zgjedhjet e 2021 pritet të vërtitet te rreth 16, 17 apo 18 mandate. Ata që janë më poshtë nëse marrin më shumë vota mund të futen në Parlament sipas ligjit. Por Rama mund të fusë emra shumë pak të njohur pas numrit 18 dhe ata nuk i rrezikojnë emrat që futen automatikisht. Kjo skemë duket se pëlqehet dhe nga PD.
\
\
Vetë Basha ka nisur një proces në bazë për kandidatët e rinj dhe nëse nuk shkohet me skemën që propozon PS, atëherë PD rrezikon disfatë. Me lista tërësisht të hapura duhen njerëz me shumë njohje në zonat e tyre dhe që mbledhin vota. Nga propozimet që ka dërguar baza ka shumë emra të panjohur. E vetmja mënyrë që ata të jenë deputetë është përmes skemës që ka propozuar PS. Fakti që PD nuk nxjerr një draft që të rrëzojë PS, tregon se të dyja janë të kënaqura.
Spastrime në opozitë
Skema e propozuar nga socialistët padyshim që favorizon vetëm PD dhe PS. Partitë e tjera, përfshirë dhe LSI rrezikojnë tatëpjetën. Së pari kemi elementin e heqjes së koalicioneve. Në vend kemi me qindra parti, por që pjesa dërrmuese janë parazite.
Madje, në 2017 në Parlament shumë deputetë që kanë parti morën mandat falë Partisë Demokratike. Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Dashamir Shehi, etj., u futën në listat e PD. Me skemën e re, partitë e vogla mbeten jashtë. PS ka futur pragun 3 për qind, i cili nuk ka shans të arrihet nga paritë e vogla. Në 2017 këtë prag e kaloi vetëm PDIU. Dje Basha mblodhi aleatët dhe po negocion mbi listat e deputetëve. E sigurt është që nuk do ketë listë të përbashkët me LSI.
Nga ana tjetër pritet që në listën e PD të futen vetëm 3 emra: Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule. Emrat e tjerë do mbeten jashtë. Kjo do të thotë se PDIU rrezikon të shkrihet. Në Elbasan në 2017 u morën 2 mandate, por ato falë Aqif Rakipit, i cili tashmë nuk është më pranë Idrizit. Në Vlorë nuk ka gjasa të merren vota, pasi Dashamir Tahiri ka ikur me PD dhe PDIU mbetet thatë.
Nga ana tjetër LSI pritet të pësojë disfatë të fortë. Dibrës e Gjirokastrës do i hiqet nga një deputet dhe partia e Kryemadhit mund të mos marrë asnjë mandat aty. Në Durrës Lefter Koka mund të shkojë me PS dhe po ashtu LSI mund të mbetet me 1 mandat.
Ndërkohë në qytete si Fieri e Vlora mund të pësojë disfatë. Pra skema e re çon ujë te mulliri i PS dhe PD, ndërsa LSI, PDIU dhe disa parti të tjera të vogla do marrin tatëpjetën më 25 prill./Kliti Topalli