Qeveria ka rrudhur numrin e personaliteteve që u garantohet me ligj siguria nga Garda e Republikës. Së fundmi ka shkuar në Parlament një ligj i ri për Gardën ku bie në sy reduktimi i personave që do të gëzojnë mbrojtjen.
Momentalisht në nenin 4 të ligjit, garantohet siguria për një numër të madh personalitetesh, por me ndryshimet që ka propozuar mazhoranca, ky numër rrudhet në ligj. Megjithatë lihet një hapësirë, pasi personalitetet që nuk janë në ligj mund të sigurojnë mbrojtjen përmes vendimeve të qeverisë.
Në ligjin e ri, garantohet mbrojtje për: Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre; Presidentin e zgjedhur që nga momenti i votimit në Kuvend; Zëvendëskryetarin e Kuvendit, Zëvendëskryeministrin, ministrin përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ministrin përgjegjës për punët e jashtme; Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë;
Personalitete të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Ajo që bie në sy është se nuk garantohet me ligj mbrojtja e anëtarëve të tjerë të qeverisë, përveç ministrit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm. Po ashtu janë lënë jashtë kreu i opozitës, kryebashkiaku i Tiranës, Guvernatori i BSH, kreu i KLSH, etj.
Më konkretisht ligji aktual parashikon: “Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron: Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, si dhe familjet e tyre. Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetarët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e SHISH-it, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatorin e Bankës së Shtetit, Avokatin e Popullit, Kryetarin e KQZ-së, kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare, kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës”. Vlen të theksohet se, heqja është bërë në ligj, por është përcaktuar se lind e drejta e heqjes apo e dhënies së mbrojtës me vendim të Këshillit të Ministrave, kur shihet e arsyeshme.
Ruajta e personaliteteve pas lënies së detyrës
Ndër të tjera projektligji sqaron se personalitet që përfitojnë kanë të drejtën e mbrojtjes deri në një afat të caktuar edhe pasi kanë lënë detyrën. Për disa persona është përcaktuar afati në ligj, ndërsa për disa të tjerë vendos Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të veçantë. Sakaq, për presidentin është përcaktuar si afat për mbrojte 5 vite pasi është larguar nga posti.
“Kohëzgjatja e mbrojtjes së personaliteteve të tjera pas lënies së detyrës nga ana e tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Presidenti i Republikës, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 5 pesë vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë”, përcaktohet në projektligj.
Sipas ligjit, për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin përcaktohet si afat kohor për të qenë të mbrojtur nga garda edhe 4 vjet pasi kanë përfunduar detyrën. Ndërsa, në ato raste kur përfundon mandati kanë të drejtën e mbrojtjes për gjysmën e kohës që kanë ushtruar detyrën si kreu i Parlamentit dhe kryeministër.
“Kryetari i Kuvendit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë. Kryeministri, pas mbarimit të mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Në rast të ndërprerjes së detyrës përpara mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë”, sqaron ligji i ndryshuar.