Bashkimi Europian do të marrë vendimin final për negociatat me Shqipërinë në 10 nëntor 2020. Të mërkurën, Komisioni Europian prezantoi kornizën e negociatorëve me Shqipërinë, por Këshilli i Bashkimit Europian do të diskutojë për Shqipërinë më 10 nëntor.
Por që të përcaktohet mbledhja e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, vendi ynë duhet të vijojë me plotësimin e kushteve. Në kuadrin negociues, bëhet e qartë se kushtet kryesore që duhet të përmbushen janë, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, mbyllja e reformës zgjedhore dhe vijimi i luftës ndaj korrupsionit, si dhe duhet të përfundojnë procedurat për emërimin sa më parë të kreut të BKH.
“Në veçanti, Shqipëria tashmë ka bërë përparime në përmbushje të kushteve që duhet të përmbushen para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Pritet përparim i mëtejshëm veçanërisht për të miratuar reformën zgjedhore, pas marrëveshjes politike të 5 qershorit, të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të përfundojë procedurat për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, dhe të forcojë më tej luftën kundër korrupsioni dhe krimi i organizuar, i cili mbetet një objektiv afatgjatë, duke përfshirë zbatimin e masave fillestare të planit të veprimit që adresojnë rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar”, thuhet në dokument.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare do të kërkohet që Shqipëria të miratojë një udhërrëfyes për kapitujt e sundimit të ligjit, të sigurojë zbatimin e plotë pas pranimit. Kështu, BE i ka bërë një tjetër thirrje Shqipërisë për hetime të bujshme.
“Shqipëria të vazhdojë të adresojë me sukses inicimin e procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut, fillimin e procedurave kundër të akuzuarve për blerje votash, një rekord të shëndoshë në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin e procedurave dhe përfundimin e procedurave të para kundër zyrtarëve të lartë të vendit dhe politikanëve, përparim të prekshëm në lidhje me reformimin e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit zgjedhor dhe një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”, thuhet në dokument.