Memorie.al publikon historinë e panjohur të Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Nga Dashnor Kaloçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Relacioni i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, me përbërjen familjare të Aleksandër Kondos
S E K R E T Ekzemplar Nr. 1
Tiranë më 10. 4. 1985
MIRATOHET
ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRËNDSHME
D. B.
KARTOTEKËS KËTU
PËRBËRJA FAMILJARE
Vangjel Nisi Kondo, mashkull, kryefamiljar, 1932, Pishë Poro
Antigoni Gjergj Kondo, femër, e shoqja, 1937, Berat
Aleksandër Kondo, mashkull, i biri, 1960, Fier
Dhimitraq Kondo, mashkull, i biri, 1961, Fier
Florika Kondo, femër, e bija, 1965, Elbasan
Lindita Kondo, femër, e bija, 1970, Tiranë
Relacioni sekret i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për të verifikuar listën me emrat e sportistëve të ekipit kombëtar të peshëngritjes që do dilnin jashtë shtetit
SEKRET
Ekzemplar nr. 1
Tiranë më 10.4.1985
MIRATOHET
ZV./DREJTORI I PUNËVE TË BRËNDSHME
D.B.
KARTOTEKËS KËTU
Kontrolloni nëse figurojnë në evidencat tuaja personat e poshtëshënuar pasi, kërkohet mendim për të shkuar me shërbim jashtë shtetit.
BERBERI FERIT REXHEP, 46 Tiranë 1 Nr. 41 “M. Lleshi”, mësues në shkollën “S. Frashëri”.
BEQIRAJ GUDAR DAUT, 48 Durrës 4, “V. Luarasi” P 8 SH 2/4 në Q. Llogaritëse.
BOGDANI XHAFERR SELIM, AP. 43 Tiranë 5 “K. e Pezës” Nr 46, marangoz në Komb. “Josif Pashko”.
BAKIRI XHELIL MUHEDIN, AP. 36, Gjirokastër 2 “Marsel Kashen” B.11 15/1 P. 4, SH. 1 pedagog në IKF “Vojo Kushi”.
BUNECI NIKOLLA PAVLI, 48 Tiranë “Bardhok Biba” Nr. 15 trajner në Federatën e Sporteve të Rënda.
BERISHA MUHARREM ISA, 64 Tiranë 6, “P. Leka” B.11 P. 100 puntor në Uzinën “Dinamo”.
BUSHI FATMIR SARAÇ, 62 Tiranë B “M. Gjollesha” P11. Moskati SH. 5 AP. 7 ushtar K.S. “Partizani”
FERUNI PËRPARIM MEHDI, 48 Tiranë B “M. Gjollesha” P11. Moskati SH 5/7 student në I.K.F. “Vojo Kushi”.
HAXHIHYSENI AGRON SKËNDER, 59 Tiranë 6 “Ll. Bonata” P 46/4 ushtar në K.S. “Dinamo”.
HAKANI MIRJAN HYSEN, 61 Tiranë 8 “Y. Kurti” P. 23 SH. 1/4 punëtor në K.S. “17 Nëndori”.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
LOLI ALEKSANDËR VANGJEL, 59 Tiranë 8 “M. Gjollesha” P 11 Moskati P. 35, AP. 6, student në I.K.F. “Vojo Kushi”.
KONDO ALEKSANDËR VANGJEL, 60 Tiranë 1 “H. Guga” P 2 AP 70 punëtor në Ndër. e Veglave Bujqësore.
NASKA RIZA KARAFIL, 57 4. “K. Gega” P. 11 punëtor OMT
QIPO MIHAL PANDI, AP. 32 Korçë 3, “F. Xhajko” P. 63/3 Sh. 1/10, punonjës në Sektorin Shkencor të KKFS të RPSSH-së.
Për sa më sipër presim përgjigje
ZV / KRYETARI I DEGËS SË KUNDËRZBULIMIT
G.B.
Për nr. 13, s’jam dakort.
F. Z.
Nuk jam dakort për Nr. 13, pasi në materialet e ngarkuara ndaj tij, herën e fundit kur erdhi nga Spanja, solli me vete materiale të pista pornografike të cilat, i’u kapën në doganë.
Me urdhër të udhëheqjes së MPB (ministrit) ai u vendos që të ndalohej dhe të mos dalë më jashtë shtetit. Ka të dhëna për tentativë arratisjeje dhe shoqërohet me elementë ordinerë dhe imoralë.
Puntori Operativ
O. F.
Relacioni sekret i Drejtorit të Kundërzbulimit Shqiptar, për informacionin e dhënë nga agjenti “Shqiponja”, lidhur me dollarët që i ka marrë Xhelal Sukniqi një sportisti të skuadrës së tij
S E K R E T
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 31.5.1985
SHËNIM OPERATIV
Sot më mori në telefon agjenti “Shqiponja” i cili, në pamundësi për të lëvizur pasi, sapo ka dalë nga spitali në mënyrë të kamufluar më tha: “Lidhur me notën që dha radio mbrëmë kam dëgjuar, se largimi i dy sportistëve duhet të jetë me paramendim pasi, një sportist tjetër këtu, është shprehur se atij të Shkodrës, i kam dhënë 1000 dollarë për të më sjellë dhe mua ndonjë plaçkë. Por siç duket ai, i dashka për të blerë ndonjë “Fiat”. Ky sportist është tepër i mërzitur dhe po qan humbjen e këtyre dollarëve”. Për sa më sipër, u porosit B. p., që të sqarojë se cili është sportisti që ka dhënë këto dollarë, rrethanat e njohjes dhe dhënies së tyre, kush ka dijeni tjetër.
Njëkohësisht të marrë masa për të takuar B. p. në shtëpinë e tij duke qenë vetëm, meqenëse nuk lëviz. Në këtë takim, ky shënim operativ do të merret raport.
KRYETARI I DEGËS SË KUNDËRZBULIMIT
N. GJ.
Raporti i Punëtorit Operativ për dëshminë e ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Liqeni”, lidhur me dollarët dhe monedhat e floririt që kishte marrë Aleksandër Kondo
Sekret
Ekzemplar i vetëm
SH Ë N I M O P E R A T I V
Më datën 31.5.1985, unë Puntori Operativ i Sigurimit të Shtetit V. K., me kërkesën e ish – bashkëpunëtor “Liqeni”, u takova me të, i cili më informoi se po në atë datë, ky i fundit kishte pasur një bisedë me ushtarin…………………….i cili i kishte thënë se Aleksandër Kondo, kishte marrë me vete 50 copë flori, si dhe disa dollarë.
Këto flori dhe dollarë i’a kishte dhënë i ati i tij që është oficer. Po kështu kishte vazhduar……………………..kur ishte kthyer dhe herë të tjera nga jashtë, Aleksandër Kondo, kishte sjellë prej andej dhe drogëra. Po kështu Aleksandri, kishte shumë pretendime për trupin e tij të mirë për në Holliwood.
Edhe Xhelal Sukniqi i kishte thënë A.T., se kishte njerëz jashtë shtetit.
Vlerësim: E dhëna është e rëndësishme, pasi tregon se Aleksandri kishte kohë që ishte futur në veprimtari armiqësore.
Sqarim:……………………….ushtar i vitit të dytë në repartin 9341 Vorë, Batalioni i parë, Kompania e tretë, nuk kemi ndonjë të dhënë për të.
Masa operative: Shënimi operativ do t’i dërgohet Degës së Sigurimit të repartit dhe garnizonit.
Shënim: Sipas thënieve të P.O. që shoqëronte ekipin jashtë shtetit, E.M., i ati i Aleksandër Kondos, kishte dalë në pikën kufitare të Hanit të Hotit për të pritur djalin e tij.
Puntori Operativ
V. K.
Ky shënim operativ, t’i kalojë Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë.
1.6.1985
PUNTORËT OPERATIVË
G.B. e N.GJ
Relacioni i Oficerit të Sigurimit për sjelljen e sportistëve dhe drejtuesve të ekipit kombëtar të peshëngritjes në Poloni, si dhe largimin nga ekipit të Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit, në Mal të Zi
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 1.6.1985
E K S T R A K T
NXJERRË NGA INFORMACIONI PËR SHOQËRIMIN E EKIPIT KOMBËTAR TË PESHËNGRITJES NË KATOVICË TË POLONISË
Nga data 22 deri në 26 maj 1985 në qytetin e Katovicës në Poloni, u zhvillua Kampionati i 44 Europian i Peshëngritjes, ku mori pjesë dhe ekipi kombëtar i vendit tonë. Gjatë qëndrimit në Katovicë si në hotel, stërvitje, gara, dhe në kohën e lirë, ka rënë në sy qëndrimi jo korrekt i sportistit Aleksandër Kondo.
Se ai, kërkonte dhe në ndonjë rast, hyri në biseda me sportelistë, kamarier, e pastruese. Në pas drekën e datës 24 maj 1985, pala polake ekipin tonë, e dërgoi për vizitë në Kombinatin e Metaleve me Ngjyra. Këtu ra në sy sjellja jo korrekte e sportistëve………………………………..të cilët hynë në bisedë me femra që shoqëronin ekipin tonë.
Me rastin e përfundimit të kampionatit, polakët, në mbrëmjen e datës 26 maj 1985, shtruan një darkë me pjesëmarrjen e të gjitha ekipeve. Në këtë darkë, në kundërshtim me rregullat dhe me lejen e përgjegjësit të ekipit M. Q., trajneri i ekipit N.B., shkoi dhe u ul në tavolinën e ekipit grek, ku qëndroi për rreth 30 minuta.
Në aeroportin e Varshavës, doganieri polak i tërhoqi vërejtje dhe kërkoi që Aleksandër Kondo, të paguante për sasinë që kishte mbi normativë. Por me ndërhyrjen e Sekretarit të Parë të ambasadës sonë në Varshavë, u lejua të kalonte.
Në datën 28 maj 1985, pas udhëtimit me tren nga Beogradi në Titograd, në orën 7.00 të mëngjesit, Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, ashtu si të gjithë sportistët e tjerë morën leje dhe shkuan për të pirë ujë aty afër e u kthyen përsëri.
Në orën 7.20 minuta, erdhi autobuzi dhe mbasi sportistët hypën e zunë vendet, u konstatua zhdukja e papritur e Aleksandër Kondos dhe e Xhelal Sukniqit.
Për këtë shqetësim, deri në orën 12.00 organizohet kërkimi i tyre në qytetin e Titogradit dhe në përfundim për këtë ngjarje u njoftua ambasada jonë në Beograd, e cila porositi përgjegjësin e ekipit, që të bëjë denoncim në milicinë e Titogradit.
Pas denoncimit, milicia ktheu përgjigje se nuk kishte dijeni, dhe se po ti gjenin do ti njoftonin.
OFICERI I DREJTIMIT TË DEGËS SË PARË
M.Z.