Amerikanët duken të vendosur për të mbështetur kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa i takon vendimit për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat dhe reformimin e PD.
Dje në selinë blu ka shkuar një delegacion nga Senati Amerikan, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ndërsa është takuar me kryedemokratin Basha. Delegacioni kryesohet nga dy përfaqësues të lartë të Partisë Republikane.
Bëhet fjalë për Robert Karem, i cili ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare dhe Paul Grove, zyrtar i Nënkomitetit të Shtetit për Operacionet e Jashtme. Ndërkohë gazeta ka mësuar se në fokus të takimit mes liderit demokrat dhe zyrtarëve amerikanë ka qenë çështja “Berisha”.
Sipas informacioneve, mësohet se delegacioni amerikan i ka dhënë mbështetje Bashës lidhur me përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi dhe reformimin e Partisë Demokratike, ndërsa kanë garantuar se nuk do të lejojnë cenimin e demokracisë në Shqipëri.
A do publikohen faktet e dosjes “Berisha” që ka DASH?
Por vizita e delegacionin e Senatit Amerikan në selinë blu dhe takimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vjen në kulmin e “luftës” Berisha-Basha. Ky i fundit në mbledhje grupi dhe në media ka deklaruar se përjashtimi i ish-kryeministrit Berisha ndodhi për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ndërsa tha se ai ka dijeni për dosjen që Departamenti Amerikan i Shtetit ka për ish-liderin demokrat.
Mirëpo Berisha ndërkohë pretendon se amerikanët nuk kanë prova për të. Kështu që takimi i zyrtarëve amerikanë me liderin e PD, duket se do t’i hapë rrugë publikimit të fakteve që SHBA ka kundër Berishës. Kjo pasi në vizitën e djeshme, amerikanët zgjodhën pikërisht Bashën që ta takojnë të parin, sikundër bëri ambasadorja Kim pak ditë më parë që sapo erdhi nga Uashingtoni shkoi tek selia blu, çka tregon se takimi mes palëve ka qenë i rëndësishëm. Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të publikohen faktet e dosjes “Berisha” që ka DASH.
Basha jep detaje nga takimi
Ndërkohë në një prononcim për mediat pas takimit me delegacionin e Senatit Amerikan, Basha u shpreh se demokracia shqiptare dhe zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet e diskutuara mes palëve. “Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur, një ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqin ku ndodhet pas masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe rolin e PD dhe opozitës në Parlament dhe në bashkëpunim me gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e SHBA, për të kthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Çështja tjetër, ka të bëjë me rajonin, sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit”, deklaroi Basha.
Reagon Nishani
Mirëpo takimi i kryedemokratit Basha me delegacionin e Senatit Amerikan në selinë blu nuk është kapërdirë dot nga njerëzit pro Berishës. Menjëherë pasi mbaroi takimi, ish-presidenti Bujar Nishani sulmoi Bashën në rrjetet sociale. “Deklarata e Lulzim Bashës pas takimit me përfaqësues nga Senati SHBA, ishte kulmi i hipokrizisë dhe fyese për demokracinë amerikane dhe lirinë si dimension. Kur L. Basha ju flet për standardet demokratike përfaqësuesve nga SHBA, ai fyen themelin e lirisë dhe dimensionin e demokracisë amerikane. Në SHBA, asnjë nuk manipulon dhe grabit votat brenda partisë së tij, siç vepron L. Basha sistematikisht brenda partisë së tij”, shkruan Nishani.