Dosja e vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari duket se është kthyer në makth për ish-kryeministrin Sali Berisha. Prokuroria e thirri atë si dëshmitar dhe Berisha nxitoi të dilte në një intervistë televizive për t’u shfajësuar dhe paraprirë seancës gjyqësore.
Por edhe pse deklaroi se ai ka bërë një deklaratë një herë dhe nuk ka çfarë thotë tani, telashet duket se nuk kanë mbaruar për të.
Sot do të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Izet Haxhisë dhe këtë herë do të jetë radha e palës mbrojtëse që të paraqesë argumentet, dëshmitarët dhe provat që do të paraqesë. Në një prononcim për gazetën, avokati Idajet Beqiri ka dhënë detaje nga seanca e sotshme gjyqësore.
“Ne do të paraqesim parashtrimet hyrëse, çfarë synojmë të arrijmë në këtë gjykim ne si palë mbrojtëse e Izet Haxhisë. Do të parashtrojmë të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit 1998, pozicionin e Izet Haxhisë me këtë ngjarje, ku ndodhej ai dhe përse, a ka ose jo lidhje Izet Haxhia me këtë krim dhe kush janë ata që e implikojnë padrejtësisht atë, për çfarë motive dhe interesa e bëjnë këtë gjë…”, tha avokati.
Sigurisht që ligji i jep të drejtë palës mbrojtëse të kërkojë dëshmitarë dhe të ofrojë prova. Dëshmitari kyç dhe nga ana e Izet Haxhisë do të jetë Sali Berisha. Po ashtu emra të tjerë që do të thirren janë: Zenel Neza e Jaho Mulosmani, deri te Aishe Haklaj, Zylfije Haklaj, Sali Lusha, Afrim Krasniqi, Ylli Rakipi, Shaban Memia, Fisnik Sina, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, etj.
Sa u takon provave, avokati është shprehur se prova ku i kanë ata sytë janë tabulatet telefonike. Thuhet se Azem Hajdari mori një telefonatë që e nxori nga zyra, por kush e telefonoi nuk dihet. Avokatët do kërkojnë angazhimin e gjykatës që të gjenden këto tabulate telefonike.
“Do kërkojmë edhe një numër të konsiderueshëm tabulatesh telefonike të ditës së ngjarjes, të cilat zbulojnë motivin e vrasjes dhe bashkëpunëtorët real që kryen vrasjen e Azem Hajdarit. Kemi edhe një numër dëshmitarësh, të cilët do të përbëjnë risi për procesin, që nuk janë pyetur kurrë më parë, por që do të ndihmojnë realisht në zbardhjen e të vërtetës për vrasjen e Azem Hajdarit”, tha ai.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra.
Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha. Prokuroria në atë kohë pretendonte se ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë, ndonëse një moment i tillë mbetet realisht i paqartë.
Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vitet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.
Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi i vërtetë se përse u ekzekutua Azem Hajdari. Gjykata u mjaftua vetëm me faktin se u vra për hakmarrje. Por tashmë gjërat po lëvizin dhe mbetet me interes dëshmia që do të japë Sali Berisha në gjykatë. /Kliti Topalli