Gjykata e Apelit ka regjistruar zyrtarisht ankimimin e Izet Haxhisë. Pak ditë më parë gazeta zbardhi ankimin e bërë nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa dje gjykata ka pranuar ankimin dhe ka përcaktuar gjyqtarin relator të çështjes, i cili është Shkëlqim Mustafa.
Në ditët në vijim do hidhet shorti dhe për dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues dhe po ashtu do përcaktohet data se kur do të mbahet seanca e parë gjyqësore. Izet Haxhia është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Tiranës si bashkëpunëtor në ekzekutimin e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari. Pas ekstradimit në vendin tonë, Haxhia ju drejtua gjykatës për të kërkuar rivendosje në afat të çështjes, me argumentin se nuk është informuar mbi dënimin e tij.
Gjykata e pranoi kërkesën dhe më pas avokati i Haxhisë, zoti Bashkim Nikolla bëri ankimim në Apel, duke përkuar pafajësi për klientin e tij. Por dje ka pasur debate sa i takon emrit të gjyqtarit relatues. Shkëlqim Mustafa është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë, ndërsa dy çështjet e bujshme që ai ka pasur në dorë janë ajo e “21 Janarit” dhe çështja mes Shkëlzen Berishës dhe Taulant Ballës, shkruan Sot.Më 09.06.2015 gjyqtari Mustafa vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 1 milionë lekë gjobë deputetin Balla për shpifje ndaj familjes së ish-kryeministrit Berisha. Në atë kohë Balla lëshoi akuza shumë të forta ndaj gjyqtarit në fjalë.
“Raporti mbi korrupsionin në sistemin e drejtësisë në Shqipëri tregonte se gjyqtarët paguajnë para për tu emëruar në pozicione kyçe, me shuma që shkojnë edhe 300 mijë Euro. Sot Gjyqtari i emëruar i familjes Berisha në Gjykatën e Apelit Tiranë Shkëlqim Mustafa, bashkëfshatar i Saliut, dha një vendim të turpshëm në shkelje të çdo praktike gjyqësore.
Është rastësi e bukur që po 300 mije Euro ishte shuma që Shkëlzen Berisha kish deklaruar në deklaratën e tij të pasurisë si të ardhura nga aktiviteti i tij si sekser. Para pak kohësh i kemi kërkuar Shkëlzen Berishës të shpjegoje nga kush i kishte marrë këto 300 mijë Euro. Sot gjyqtari Shkëlqim Mustafaj na e dha përgjigjen nga i ka marrë Shkëlzen Berisha ato 300 mijë Euro”, tha Balla në ditën e vendimit.
Kërkesa e Izet Haxhisë
Në kërkesën e dorëzuar në Apel, thuhet se Haxhia, për të provuar pafajësinë e tij, ka përgatitur edhe një listë me dëshmitarë që do të kërkojë të merren në pyetje. Lista përbëhet nga 45 emra, pjesë e së cilës janë edhe një sërë emrash të njohur, ku përmendim: Fatos Nanon, Fatos Klosin, Zenel Neza, Arben Rakipin, Ardian Vishën, Petro Koçin, Ylli Rakipi, Alfred Peza, etj.
Plani i Izet Haxhisë është që gjatë seancave gjyqësore të kërkojë disa prova që sipas tij, do të faktojnë se persona të tjerë janë të implikuar me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Mes të gjitha provave të munguara në dosje që Izet Haxhia kërkon t’i paraqesë para trupit gjykues mund të përmendim: bllokun e shënimeve të Albert Dervishit, ditarin e Perikli Tetës, tabulatet telefonike të personave që paraqesin interes për çështjen, kronikën e Artan Hoxhës apo edhe bisedën e regjistruar me diktofon nga gazetari Ylli Rakipi. Mbetet të shihet nëse Haxhia do e arrijë qëllimin të dalë i pafajshëm dhe po ashtu që autorët e vërtet të vrasjes së Hajdarit të dalin para drejtësisë.