Pak ditë më parë raportoi në Komisionin e Ligjeve kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentian Sula, e cila shprehej se për deputetët dhe zyrtarët e tjerë, Autoriteti nuk mund të nisë vetë verifikime, por duhet ta vërë në lëvizje Kuvendi. Por në një rezolutë të hartuar nga Kuvendi, përgjegjësia kalon te AIDSSH…
Dosja e spiunit Ilir Metaj duket se ka përfunduar në “kalendat greke”. Fiks një vit më parë, Autoriteti i Dosjeve dhe Kuvendi u alarmuan, pasi zbuluan se ish-presidenti kishte qenë spiun i Sigurimit. Mazhoranca nisi me urgjencë hartimin e një ligji që mundësonte hapjen e dosjes për Ilir Metën. Edhe opozita i doli në krah dhe të gjithë trumbetonin se do të zbulohen të gjitha spiunllëqet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit.
Jemi një vit që nga momenti i nisjes së shqyrtimit të atij ligji dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ai hyri në fuqi në muajin dhjetor dhe akoma nuk ka filluar të zbatohet. Asnjë e dhënë nuk ka dalë në media mbi spiunllëqet e I.M.
Kuvendi dhe Autoriteti i Dosjeve duket se ja “ngecin” përgjegjësinë njëri-tjetrit. Pak ditë më parë raportoi në Komisionin e Ligjeve kryetarja e Autoritetit të Dosjeve. Gentian Sula shprehej se për deputetët dhe zyrtarët e tjerë, Autoriteti nuk mund të nisë vetë verifikime, por duhet ta vërë në lëvizje Kuvendi. Vetë mazhoranca bëri me dije se do të dërgojë një kërkesë, por duket se e gjitha ishte sa për të larë gojën, sepse asgjë nuk ka ndodhur.
Ndërkohë sot, në seancë plenare, do të miratohet një rezolutë për Autoritetin e Dosjeve. Në fakt përmes kësaj rezolute, Kuvendi ja kalon përgjegjësinë Autoriteti që nuk po hapen dosjet e verifikuara nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”. Sipas rezolutës, i takon këtij organi të hartojë aktet nënligjore.
“Kuvendi rekomandon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit, për vitin 2023, të përmirësojë punën në këto drejtime: Të hartojë aktet nënligjore në kuadër të përafrimit me ndryshimet që pësoi ligji nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar; Të raportojë mbi përfundimet dhe pengesat ligjore që ka hasur Autoriteti gjatë zbatimit të ligjit nr. 45/2015 lidhur me verifikimin e figurave të zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërie figure. Pas ndryshimeve ligjore që sollën shfuqizimin e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, Autoriteti të bashkëpunojë me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike me qëllim që t’i drejtohen Autoritetit me kërkesë për ri – verifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie”, theksohet në rezolutë.
Duhet theksuar se pak ditë më parë PS u tërhoq dhe nga ligji që do sillte largimin nga politika të personave të lidhur me Sigurimin. Si duket Ilir Metaj do vijojë të shijojë pushimet në Gjirin e Lalëzit dhe do e bëjë gjumin e qetë. /Pamfleti