Petrit Ahmeti, kryetar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë është marrë në pyetje javën që shkoi nga SPAK për llogari të hetimeve të hapura për ÇEZ, për shkak të detyrës që ai ka mbajtur vite më parë gjatë kohës kur u lidh marrëveshja e shumë lakuar ÇEZ-DIA për mbledhjen e borxheve.
Emri i zyrtarit të lartë doli në skenë nga një dëshmi e 2014 në Arbitrazh ku Josef Hajsek , ish-administrator bordi dhe i hetuar në Shqipëri për mashtrim rrëfeu procedurën e ndjekur gjatë asaj kohe, por që në përfundim në Shqipëri u shpall me vendim gjykate si një nga mashtrimet më të mëdha prej nga ku u përvetësuan gati 5 milionë euro. Kryetari i bordit është një mes shumë zyrtarëve të SPAK të pyetur për CEZ-DIA.
SPAK e mbajti sekret të dhënën se në çfarë statusi është thirrur Ahmeti, i cili doli para prokurorëve me avokatin në krah. Dosja më e fortë e SPAK është CEZ-DIA në SPAK dhe mes shume personazheve kryesori që është pyetur është Kastriot Ismailaj, i vetmi i arrestuar dhe i vetmi i dënuar për akuzën e mashtrimit Kastriot Ismailaj u dënua me 11 vite burgim.
Ndërkohë Romeo Karaj dorëzoi një kallëzim tjetër penal që për shkak të kompetencave, përfshiu SPAK jo vetëm për dyshimet se aty mund të jetë kryer korrupsion, por për shkak të emrave të ish-funksionarëve të denoncuar, midis tyre ish kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta. Po për të mësua më shumë rreth kësaj çështje, gazeta “SOT” bisedoi me ish-juristin e OSHEE, Romeo Kara, i cili ka zbardhur detaje të tjera nga marrëveshja CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Kara ka treguar se ka pasur njohje mes Metës dhe Ismailajt, teksa ka thënë se ka video që tregojnë bashkëpunimin mes tyre. Sa i takon dëshmisë së zotit Ahemeti në SPAK javën që shkoi, juristi i njohur thekson se kryetar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë nuk ka lidhje me këtë aferë, ndërkohë që u shpreh skeptik se SPAK do ta zbardhë këtë dosje, për të cilën sipas tij, duhej të ishte bërë drejtësi me kohë.
-Zoti Kara së fundmi është marrë në pyetje Petrit Ahmeti, aktualisht kryetar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë, i cili ka qenë këshilltar i ERE në kohën kur u arrit marrëveshja mes CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve. Si e komentoni ketë zhvillim?
SPAK-u po bën vetëm shou, duke marrë peng procesin e hetimit dhe drejtësinë. Hetimi i tij, lidhur me këtë çështje, është më shumë se i vonuar. Nuk di që SPAK, këto vite të këtë pasur guximin për të pyetur direkt Metën dhe Berishën, të cilët ndikuan dhe frymëzuan vendimet dëmtuese të ERE-s, lidhur me politikat e shitjes së energjisë nga KESH-i tek CEZ-i. Përfundimisht konstatoj se, SPAK-u as që e ka ndërmend të kryejë detyrën e tij.
Shou që bën me Petrit Ahmetin, është tërësisht i pavlerë. Petrit Ahmeti, nuk ka pasur asnjë lloj roli në aferën CEZ-DIA, e cila u orkestrua dhe u zbatua në dakortësi të plotë midis tyre, nga dyshja Meta-Berisha, që kishte ndarë me marrëveshje sinorët e grabitjes së parave publike, përgjatë bashkëqeverisjes se tyre. Tjetër kush ishte kryetari i ERE-s dhe bordi që mori ate vendim. Ata janë personat direkt përgjegjës dhe jo ish-këshilltarët. Një këshilltar i ERE-s, nuk ka asnjë lloj ndikimi në lidhje me politiken e tarifave, e cila jo rastësisht trajtohet si politika e tarifave apo e çmimit të rregulluar.
Vendimi ka qenë tërësisht politik dhe zbatimi i vendimit pa asnjë kundërshtim nga qeveria, flet në favor të kësaj që unë po them. Ka qenë një vendim tërësisht në dëm të Buxhetit të Shtetit, vendimi nr. 97 i ERE-s i dt. 07.12.2010, dhe si i tillë nuk u kundërshtua, por u zbatua menjëherë nga qeveria Berisha. Lidhur me këtë vendim, kemi një video të plotë, ku gruaja e Ismailajt akuzon pa ekuivok Metën, i cili kërkonte, që të shpërblehej me 10 mil euro, për ndikimin e tij në nxjerrjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Përpara pak ditësh bordi aktual i ERE-s miratoi rritjen e çmimit të energjisë mbi një fashe të caktuar, por qeveria e pa të arsyeshme të mos e marrë parasysh të paktën përkohësisht këtë vendim të ERE-s. Ky është raporti Qeveri-ERE, ku përgjegjësitë rendojnë së pari direkt mbi qeverinë. Korrupsioni si dukuri buron nga lart, frymëzohet nga lart dhe mbrohet nga lart, prandaj ky hetim i SPAK-ut, ngecur nëpër persona anonime, nuk vlen as për shou.
-Qarkullojnë informacione se priten të merren në pyetje zyrtarë të tjerë, a po i afrohet fundi i Ilir Metës?
Sigurisht që Ilir Metës do t’i vijë fundi një ditë, por jo nga ky SPAK, i cili ka në përbërje prokurorë që tradicionalisht kanë punuar hapur në mbrojtje të interesave të Metës. Drejtësia e vërtetë do të vijë kur viktima reale e padrejtësive, që është populli, të marrë në dorë fatet e tij, midis tyre edhe vendosjen e drejtësisë.
Vetëm vendosja e drejtësisë do të rikthejë shpresën në këtë vend, prej të cilit njerëzit largohen, sapo mësojnë të ecin. Kur organet e drejtësisë t’i zgjedhë populli, bazuar vetëm tek devotshmëria, integriteti dhe profesionalizmi i tyre dhe kur të jenë juritë popullore ato që do të japin drejtësinë, vetëm atëherë mund të flasim për një drejtësi reale. Kudo në korridoret e drejtësisë, prokurori apo gjykata, vazhdon hapur korrupsioni dhe tallja me ne që aspirojmë për drejtësi. Nuk besoj se SPAK-u bën shumë diferencë prej tyre.
-Nga ana tjetër, Izet Haxhia u dënua me 21 vite burg, avokati i tij mbrojtës akuzoi gjyqtarët si kamikazë të Sali Berishës, si komentoni këtë zhvillim?
Nuk kam asnjë lloj dëshirë të prononcohem lidhur me Izet Haxhinë. Ky kapitull u mbyll përfundimisht në vitin 2018 për të mos u hapur më kurrë.