Donald Lu ka qënë më se i qartë dhe konkret në kërkesën e tij për goditjen pa mëshirë të krimit dhe trafikantëve të lidhur me politikën në Shqipëri.
Ambasadori i SHBA Donald Lu edhe në daljen e tij të fundit publike para se të largohet në detyrën e re, tregoi se nuk heq dorë kollaj nga goditja e ‘peshqve të mëdhenj’.
Teksa ka shfrytëzuar një aktivitet të organizuar nga Ministria e Brendshme, ambasadori Lu tha shqip dhe qartë se është bërë shumë në këto 8 muaj kundër krimit, por se mbetet ende shumë për të bërë.
Teksa përmendi sukseset, që nga arrestimi i Met Kananit, kapja e 613 kg kokainë e arrestimin e Arbër Çekajt(Kuliçit) dhe suksese të tjera, më shumë është ndalur tek dështimet.
Ambasadori i SHBA në Tiranë quajti dështim të qeverisë, prokurorisë dhe policisë mos arrestimin e Klement Balilit, duke nënvizuar se është shansi i fundit që jepet për ta.
Teksa ka vënë në shënjestër Ramën, Xhafajn dhe Arta Markun për dështimin në kapjen e supertrafikantit të drogës Klemend Balili, ambasadori Lu i ka dërguar dhe një mesazh Ilir Metës.
Sipas ambasadorit Donald Lu, Klemend Balili është bosi i krimit dhe ka lidhje të forta politike. Një akuzë e fortë në drejtim të LSI dhe Ilir Metës që e kishin Klemend Balilin deri ditën e fundit kur u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, zyrtar të LSI e drejtor rrugësh në Sarandë si përfaqësues i LSI.
Por duke lënë për të kuptuar se nëse Klemend Balili nuk është arrestuar për dy vite me radhë nga organet ligjzbatuese shqiptare, kjo ka ndodhur dhe falë këtyre lidhjeve politike.
“Shumë ka ndodhur në 8 muaj, e shumë ka mbetur për t’u bërë. Shqipëria mbështeti arrestimin e trafikantit të madh Met Kanani në Turqi, më pas banda e tij u arrestua në Shqipëri.
Policia mbështeti sekuestrimin e 613 kg kokainë dhe arrestimin e Arbër Çekaj në Gjermani.
Disa anëtarë të bandës së tij janë arrestuar dhe do arrestohen të tjerë.
Hetimi penal kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla vazhdon.
Shumë aktivitete për një periudhë të shkurtër kohe, por duam rezultate konkrete. Duam që “peshqit e mëdhenj” të ndiqen penalisht, të dënohen dhe futen në burg. Ky do ishte sukses. Balili, bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Dua të theksoj një dështim të qeverisë, prokurorëve dhe policisë, arrestimin e Klement Balilit.
Dy vite më parë DEA bashkëpunoi me autoritetet greke. Më pas, gjykatat greke dënuan Balilin me një burgim të përjetshëm dhe 15 vite burg plus.
Për dy vjet, policia dhe prokuroria nuk kanë pasur aftësinë ose vullnetin për ta arrestuar.
I bëj thirrje kryeministrit Rama, policisë dhe prokurorëve të vazhdojnë luftën ndaj krimit në mënyrë të pamëshirshme.
Askush nuk është mbi ligjin. Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen
KPK përfundon këtë verë vetingun për Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, deklaroi Lu.
Ambasadori amerikan ka qënë shumë i qartë në mesazhin e tij për politikanët e lidhur me krimin duke paralajmëruar se do të përballen me goditjen e pamëshirshme të organeve ligjzbatuese.
Ndërkohë që kërkon me insistim që qeveria, prokuroria dhe policia të bëjnë detyrën dhe të mos dështojnë në arrestimin e kokave të krimit dhe “peshqve të mëdhenj”.
Donald Lu deklaroi se partnerët kërkojnë rezultate, ndaj kanë ofruar bashkëpunim të gjithanshëm dhe pa asnjë mëdyshje./Pamfleti